
Këngëtari i njohur, Gjesti, u është drejtuar fansave me një mesazh përmes një postimi në InstaStory, ku ka kërkuar që të respektohet privatësia e tij dhe e familjes.
Ai shprehet se është mirënjohës për dashurinë dhe mbështetjen që merr nga publiku, duke e kuptuar dëshirën e shumë fansave për ta takuar apo për të bërë një fotografi me të.
Megjithatë, Gjesti thekson se shtëpia është i vetmi vend ku arrin të pushojë, të kalojë kohë me familjen dhe të gjejë qetësi.
"Ju lutem, kam një kërkesë prej zemrës. E di që shumë prej jush vini te shtëpia ime me dëshirën me më taku ose me bo një foto me mua dhe e vlerësoj pafund këtë dashni. Ama ju lutem më kuptoni edhe mua", shkruan ai mes të tjerash.

Artisti shton se vizitat e shpeshta pranë shtëpisë e bëjnë të vështirë ruajtjen e qetësisë, por njëkohësisht thekson se nuk dëshiron që askush të ndihet i refuzuar apo i pavlerësuar.
Gjesti u bën thirrje ndjekësve që të mos shkojnë në shtëpinë e tij, duke premtuar se do të ketë plot mundësi për t'u takuar gjatë koncerteve, eventeve dhe aktiviteteve publike.

