AKTUALITET /

“Ishte zbathur, këpucët m’i dha mua”, ish-i fejuari i vr*u prindërit, 24 vjeçarja rrëfen tmerrin e pengmarrjes

E reja tregoi se prindërit e saj nuk kishin qenë dakord për lidhjen me Refit Buzin.

Shkruar nga Versus
“Ishte zbathur, këpucët m’i dha mua”, ish-i fejuari
Refit Buzi

Rozalinda Plaka, 24 vjeçarja e cila u mor peng nga ish-i fejuari Refit Buzi i cili i vrau prindërit dhe më pas u vetëvra, ka dhënë dëshminë e saj para policisë lidhur me ngjarjen.

Ajo ka rrëfyer fejesën me Buzin, arsyet e ndarjes dhe më pas ngjarjen tragjike të ndodhur ditën e premte. Sipas saj, jeta e çrregullt që bënte 35 vjeçari e kishte çuar në marrjen e vendimit për t’u ndarë.

“Në vitin 2020 kemi shpallur fejesën dhe kemi krijuar hyrje-dalje familjare. Lidhja jonë ka vazhduar deri në vitin 2024, kohë në të cilën unë kam kërkuar të ndahem nga ai, por Refiti nuk ka pranuar. Arsyeja ka qenë sepse ai kishte një jetë të çrregullt, nuk ishte i përqendruar te lidhja jonë, kishte qenë jashtë shtetit në burg dhe të gjitha këto nuk më përshtateshin mua.”

Ajo tregoi se prindërit e saj nuk kishin qenë dakord që në fillim për lidhjen e saj me Buzin.Sa i takon ngjarjes tragjike, Rozalinda tregoi se kishte qenë duke fjetur kur kishte dëgjuar të shtënën me armë gjahu dhe se në momentin që kishte dalë jashtë dhomës, kishte parë babain e saj të shtrirë në tokë.

“Kam qenë duke fjetur gjumë në dhomën time, kurse prindërit e mi kanë qenë në dhomën e tyre. Kam dëgjuar zhurmë të fortë që më është dukur si krismë arme dhe kam dalë në korridor të shikoj se çfarë kishte ndodhur. Kur dola kam parë shtetasin Refit Buzi në korridor, me një armë të gjatë si ato të gjahut në dorë, si dhe kam parë babain tim Kosta Plaka të shtrirë përmbys te hyrja e dhomës, i mbuluar me gjak.”- rrëfeu e reja.

24 vjeçarja tha se kishte tentuar t’i merrte armën, por më pas autori e kishte nxjerrë me forcë nga banesa për ta çuar më pas në vendin ku e mbajti peng për disa orë.

“Unë i kam kapur armën dhe po e mbaja, por Refiti bërtiste: ‘Do t’ju vras të gjithëve’. Më shtyu dhe më qëlloi me grusht, theu derën e dhomës sime dhe aty jam plagosur me copa xhami në trup. Më mori me forcë e më hipi te makina. Momenti kur më mori me forcë nga shtëpia deri kur kam hipur në makinë nuk më kujtohet, sepse kam qenë shumë e tronditur.”

Gjatë negociatave me policinë, Rozalinda ka treguar se Buzi ishte zbathur pasi këpucët ia kishte dhënë asaj. Sipas saj, gjatë negociatave prokurori e ka pyetur: “Vetëdorëzohu, pse je zbathur?”, ndërsa ai është përgjigjur: “I hoqa, ia dhashë… Ia dhashë asaj t’i veshë, se e mora zbathur.”

Policia po vijon me hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes së rëndë të ndodhur në Roskovec të Fierit ku 35 vjeçari vrau nënën dhe babain e Rozalindës e më pas i dha fund jetës. Prindërit e autorit pretendojnë se djali i tyre i kishte dërguar para ish-të fejuarës nga Anglia dhe se pas ndarjes 24 vjeçarja nuk kishte pranuar t’ja kthente. Versus.al

Poll