Çfarë do të gjeni në brendësi
*Kreu i SPAK, Altin Dumani dhe nënkryetari i GJKKO Erjon Bani kanë marrë pjesë në një tryezë të organizuar sot nga Qendra për Drejtësi dhe Demokraci ku edhe dhanë disa statistika për veprimtarinë e institucioneve që përfaqësojnë. *Fillimisht Bani, emri i të cilit është lakuar shpesh së fundmi si gjyqtari që firmosi masën arrest me burg për Veliajn, foli për statistika duke bërë me dije se edhe pse me gjysmën e kapaciteteve, GJKKO ka përfunduar 99% të çështjeve që ka trajtuar në 2024-ën. *Më pas kreu i SPAK, Altin Dumani duke iu përgjigjur një pyetje të bërë dha kështu një reagim indirekt për kryeministrin Edi Rama lidhur me kritikat që ky i fundit ka pasur për masat e sigurimit të institucionit. *Dumani tha se prokurorët e SPAK i dinë mirë kriteret e caktimit të masës së sigurisë, ndërsa theksoi se përpjekja për ta nxjerrë si represiv organin që ai drejton, është e dështuar.
“Përpjekja për të na nxjerrë si represivë, e dështuar”, Dumani i përgjigjet Ramës: Prokurorët i dinë mirë procedurat për masat e sigurisë
Kreu i SPAK Altin Dumani, duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari, ka reaguar ndaj kritikave të bëra së fundmi nga kryeministri Edi Rama lidhur me masat e sigurisë të caktuara nga prokurorët e posaçëm për çështje të ndryshme hetimore.
Dumani tha se përpjekja për ta nxjerrë SPAK-un si institucion represiv është e dështuar, sepse shifrat tregojnë të kundërtën. Ai nënvizoi se prokurorët e dinë më së miri çfarë kriteresh janë të domosdoshme për të caktuar një masë sigurie.
“Për çdo masë sigurimi që kërkojmë, ne i njohim mirë kriteret e kodit të procedurës penale dhe përpiqemi të jemi shumë strikt në zbatimin e kritereve. Lloji i masës së sigurimit përzgjidhet nga disa rrethana të caktuara. Çdo hetim ka dinamikën e vetë. Përpjekja për të nxjerrë SPAK si institucion represiv është e dështuar, sepse shifrat flasin vetë. Kemi publikuar numrin e të paraburgosurve për llogari të SPAK, vetëm më pak se 9% për vepra penale të krimit të organizuar. Ndërsa për vepra të tjera, rreth 49% janë hetuar në gjendje të lirë”- tha Dumani.
Më tej shtoi se edhe trendi i masave të sigurisë arrest me burg ka qenë në rënie së fundmi dhe situata për SPAK nuk është ajo që po kërkohet të paraqitet.
“Situata në raport me SPAK nuk është ajo që paraqitet. Në shumicën absolute, e zënë subjektet e krimit të organizuar për të cilët nuk ka masë më të përshtatshme sesa ajo e arresti me burg. SPAK vlerëson me kujdes kushtet dhe kriteret për të vendosur masat e sigurimit. Jemi të kujdesshëm, madje edhe trendi për masat arrest në burg është në rënie. SPAK është një institucion, ka kompetencë të kufizuar për disa vepra penale”- deklaroi kreu i Prokurorisë së Posaçme.
Më herët gjatë ditës së sotme, Rama kritikoi sërish SPAK-un për masat e arrestit, duke u kërkuar prokurorëve që të mos bazohen në media e parti politike, por të veprojnë duke zbatuar detyrën. Versus.al
"Kini besim tek ne", Dumani: Godasim të paprekshmit! Prokurorët e SPAK nuk ndikohen
Në fjalën që mbajti gjatë diskutimeve të tryezës së organizuar nga Qendra për Drejtësi dhe Demokraci, kreu i SPAK, Altin Dumani u shpreh se epoka e pandëshkueshmërisë po merr fund.
“Referuar edhe materialit, konstatohet progres edhe nga SPAK. Ka treguar se është në gjendje në respektim të ligjit dhe kushtetutës të kryejë hetime të plota dhe tregojnë se pandëshkueshmëria po goditet dhe epoka e paprekshmërisë po lëkundet. Epokës së pandëshkueshmërisë po i vjen fundi”- tha Dumani.
Sa i takon goditjes së grupeve kriminale, Dumani tha se është forcuar bashkëpunimi me agjencitë e huaja për arrestimin e anëtarëve shqiptarë të krimit të organizuar.
“Po kështu goditja e grupeve kriminale, trafiqeve të drogës dhe krimeve të tjera. Si dhe besimi i partnerëve ndaj SPAK, me mbështetjen e anëtarëve të BE-së, Britaninë, Zvicrën, bashkëpunimi me këto vende është rritur. Edhe në këtë takim ka prani të oficerëve ndërlidhës të këtyre shteteve, i falënderoj për marrëdhëniet konstruktive, bashkëpunimin dhe vijimin.
Marrëdhëniet me Interpol, Europol e Eurojust është forcuar, në goditjen e krimit të organizuar.
Po kështu goditja e krimit dhe korrupsioneve të zyrtarëve, sekuestrimi i aseteve financiare e të paluajtshme, përfshi edhe kriptovalutat, që i përdorin për blerje të ndryshme, si të kokainës edhe në pastrimin e parave”- shtoi kreu i SPAK.
Ai kërkoi që të kenë besim tek integriteti i prokurorëve të SPAK dhe theksoi e asnjë ndikim i jashtëm nuk ndikon në procesin hetimor.
“Mesazhi është i qartë se krimi nuk mund të blejë dhe as shpërblejë. Kemi rritje të ndjeshme edhe të procedimit të veprës penale të pastrimit të parave. Lufta ndaj korrupsionit ndodhet në fazë të re. Besimi te reforma në drejtësi po rritet, qytetarët janë të ndërgjegjshëm se të gjithë vijnë pas ligjit, sfidat vazhdojnë. Lufta kundër krimit dhe korrupsionit kërkon bashkëpunim ndërinstitucional. Duhet të keni besim te integriteti i prokurorëve të SPAK, proceseve. Ndikimi i jashtëm nuk do ndikojë në misionin dhe hetimet tona ndaj këtyre proceseve”- deklaroi kryeprokurori i posaçëm. Versus.al
"Punojmë jashtë orarit", flet gjyqtari që la në burg Veliajn: GJKKO punon me gjysmën e kapaciteteve
Nënkryetari i Gjykatës së Posaçme Erjon Bani ka marrë pjesë në tryezën e organizuar sot për drejtësinë ku ishte i pranishëm dhe kreu i SPAK, Altin Dumani dhe ambasadori i BE, Silvio Gonzato.
Teksa dha disa statistika, Bani tha se GJKKO ka përfunduar 99% të çështjeve pavarësisht se po punon me gjysmat e kapaciteteve, duke nënvizuar faktin se gjyqtarët punojnë 7 ditë të javës dhe jashtë orarit për të përfunduar të gjitha detyrat.
“Ndihem shumë i nderuar nga raporti, ku janë vlerësuar të gjitha arritjet e GJKKO. Drejtësia nuk është gjë tjetër veçse në shërbim. GJJKO është për ta bërë më mirë shërbimin dhe ta rrisë. Nga 2020-2024 kemi mbi 400 vendime që janë shtuar çdo vit. Në 2020 ishin mbi 2000 vendime, teksa në 2024 kemi mbi 3585 vendime. Kur kemi pasur edhe mungesa gjyqtarësh. Kemi dhënë 3585 vendime gjatë vitit 2024, me gjysmë kapacitetesh. 99% e çështjeve janë përfunduar. Ndryshe nga të gjitha gjykatat e tjera, nuk krahasohet volumi dhe cilësia. Punojmë 7 ditë në javë dhe mbi orarin zyrtar. Produktiviteti i Gjykatës, pothuajse me gjysmë kapaciteti, është mbi 99%. Pothuajse sa çështje janë regjistruar, po aq janë procesuar brenda vitit kalendarik. Pra duke diskutuar edhe cilësinë që nuk krahasohet, edhe pse në këto kushte e rrethana. Pra gjyqtarët duhet të punojnë jo 5 ditë, por edhe 7 ditë, edhe jashtë orarit zyrtar”, tha Bani.
Ndërsa parashtroi edhe disa shifra për transparencën e GJKKO duke deklaruar se vetëm faqja online e institucionit është klikuar 1 milionë herë brenda një viti për të parë njoftimet e publikuara.
“Për transparencën, mbështetur edhe në raportin ndërkombëtar, tani GJKKO publikon pothuajse 100% të vendimeve të shkallës së parë, të themelit, përjashtuar seancat paraprake dhe masës që bëhen me dyer të mbyllura. Tani na rezulton se faqja e GJKKO-së është klikuar 1 mln herë në vit, ose 80 mijë herë në muaj. Pasqyrohet edhe në rrjete sociale dhe faqen zyrtare. Falenderojmë edhe partnerët tanë që na kanë ndihmuar me mbështetjen e tyre, tryezat, trajnimet dhe çdo gjë tjetër”, u shpreh nënkryetari i GJKKO-së.
Emri i Erjon Banit është lakuar shumë së fundmi për shkak se ai ishte gjyqtari që firmosi kërkesën e SPAK për masën “arrest me burg” ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj dhe më pas edhe e konfirmoi këtë masë në seancë gjyqësore. Gjithashtu edhe kryeministri Edi Rama duke mos e përmendur me emër tha se brenda GJKKO janë dy gjyqtarë që mbështesin PD-në dhe janë betuar të sulmojnë zyrtarët e PS. Versus.al








