Çfarë do të gjeni në brendësi
*Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha u paraqit sot në SPAK në zbatim të masës së sigurisë “detyrim paraqitje” të caktuar ndaj tij për dosjen “Partizani” ku është marrë i pandehur për korrupsion pasiv. *Pak minuta zgjati paraqitja e tij në SPAK dhe më pas kryedemokrati ashtu si herët e kaluara, lexoi komunikime të siguruara nga zbardhja e përgjimeve për dosjen “Toyota Yaris”. Para mediave dhe qindra mbështetësve Berisha tha se bandat kriminale i vendosën ultimatum ministrit Taulant Balla që të vepronte ndaj kundërshtarëve të tyre, në këmbim të votave për PS-në në zgjedhjet e 2021-it. *Ai foli gjithashtu edhe për ultimatumin që kryeministri Edi Rama u vendosi deputetëve të PS duke u kërkuar që të mos komentonin veprimet e SPAK. Sipas Berishës ultimatumi lidhet me dështimin e përpjekjes së Ramës për të bashkuar votat me PD kundër SPAK. *Sa i takon qëndrimit të tij për Prokurorinë e Posaçme, Berisha zbuti tonet duke folur për reformism dhe jo për shkrirje të këtij institucioni. *I pyetur për kreun e PL, Ilir Meta, Berisha deklaroi se ai do të garojë në listat e mbyllura për shkak se nuk mund të bëjë fushatë nga burgu.
“Vepro ose s’ka vota për PS”, Berisha lexon përgjimet për “Toyota Yaris”: Bandat i vendosën Ballës ultimatum

Ashtu si në herët e kaluara, kryedemokrati Sali Berisha ka lexuar para SPAK përgjime të cilat sipas tij i përkasin hetimeve të kryera për ministrin Taulant Balla.
Berisha lexoi komunikimet ku thuhet se anëtarë të bandave kriminale i vendosën ultimatum Ballës që të plotësonte kërkesat e tyre përndryshe nuk do kishte vota për PS-në në zgjedhjet parlamentare të 2021-it.
“Më 2020-ën, Target njofton pinin se të gjithë e kanë bllokuar Taon duke i thënë se nëse nuk ua rregullon atë që i kanë kërkuar, nuk e ka mbështetjen e tyre. Më datë 24 mars Target njofton të njëjtin pin se e kanë informuar Taon se nuk do të ketë vota për ta nëse nuk ua zgjidh atë që i kanë kërkuar.
E kuptoni ju qytetarë se ku vendoset fati i zgjedhjeve? Vendoset në klanet më mafioze. Këtij ultimatumi Tao i ka thënë: Nesër ndodh! Pra të gjitha urdhërohen nga bandat. Ultimatumit të bandave “ose vepro, ose nuk do ketë zgjedhje”, Tao u përgjigjet: Nesër ndodh. Këto janë dosjet e shëmtuara të krimit elektoral mbi të cilat flen SKAP-i partisë”- deklaroi kryedemokrati.
I pyetur nga gazetarët për identitetin e “Target” që ka dërguar mesazhet në SkyEcc, Berisha tha se nuk ka dijeni, ndërsa nuk pranoi të zbulonte burimin e informacioneve për këtë dosje. Versus.al
Ultimatumi i Ramës për sulmet ndaj SPAK, Berisha: Marrëveshje me Dumanin, i dështoi bashkimi i votave me ne
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha pasi doli nga SPAK komentoi edhe ultimatumin që kryeministri Edi Rama u vuri dje deputetëve të PS duke u kërkuar që të mos komentojnë asgjë rreth Prokurorisë së Posaçme.
Berisha tha se Rama ka bërë marrëveshje me kreun e SPAK për kufizimin e hetimeve për zyrtarët e lartë, pasi dështoi që të bashkonte votat për të ndërhyrë në kushtetutë.
“Çfarë gjeta unë aty? Aty gjeta ish xhelatin e sigurimit të shtetit Arben Krajën që po merrte një trajsë me pare nga Benet Beci dhe po pinin një kafe shtruar. Gjeta kurban Etjenin e fatmir Xhafës, kurban të marrëveshjes Rama-Dumani. Sepse Etjeni shkeli marrëveshjen sipas të cilës nuk mund të sulmohet më SKAP-I pa autorizimin e plotë të Edi Ramës. Marrëveshja është kufizimi i hetimeve për zyrtarët e lartë. Pasi dështoi në bashkimin e votave me opozitën dhe u përpoq të tërheqë opozitën në një akt antikushtetues, u ul nëpërmjet Uluziut dhe firmosi marrëveshjen. Etjeni kishte mbetur aty, nuk dilte më nga SKAP-i”- tha Berisha para mediave. Versus.al
I rrethuar nga qindra mbështetës, Berisha mbërrin në SPAK
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha është paraqitur sot në SPAK në zbatim të masës së sigurisë “detyrim paraqitje” të caktuar në kuadër të dosjes “Partizani”.
Ashtu si në herët e tjera, qindra mbështetës janë mbledhur jashtë SPAK ku pritet që Berisha të japë një deklaratë për mediat.
Në daljet e mëparshme, kreu i PD ka lexuar përgjime të cilat sipas tij janë marrë nga dosja “Toyota Yaris” ku përmendet edhe ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla.
Duke qenë se në nëntor të vitit të kaluar gjyqtarja e posaçme Flojera Davidhi hoqi masën e arrestit shtëpiak për kreun e PD, gjyqtari Engert Pëllumbi i caktoi më pas masën "detyrim paraqitje" dy herë në muaj në SPAK në kuadër të çështjes "Partizani" ku është marrë i pandehur për korrupsion pasiv. Versus.al








