Live Updates /

Shpërthimet në Ibër-Lepenc! 8 të arrestuar, Policia konfiskon armatim e eksploziv! Ministri i Brendshëm: Sulm terrorist në dëm të shtetit të Kosovës!

*Veriu i Kosovës është përballur me tre sulme brenda 72 orëve të fundit. I pari ishte ai i hedhjes së një granate në oborrin e drejtorisë së policisë në Zveçan, më pas shpërthimi i një granate në të njëjtën komunë. Ndërsa më së fundmi, mbrëmë një shpërthim në Zubin Potok dëmtoi kanalin e ujësjellësit të Ibër-Lepencit që furnizon me ujë 700 mijë banorë. *Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti zhvilloi një mbledhje urgjente me Këshillin e Sigurisë duke bërë thirrje që të merren të gjitha masat për sigurimin e infrastrukturës dhe për këtë gjë kërkoi edhe aktivizimin e ushtrisë dhe policisë. *Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Zveçla bëri me dije se për shpërthimin në kanalin e ujësjellësit ishin përdorur 15 kg eksploziv. *Për situatën në Kosovë presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj zhvilloi një bisedë telefonike me homologen e tij, Vjosa Osmani të cilës i shprehu mbështetjen për të përballuar situatën e krijuar. *SHBA dhe BE kanë reaguar duke dënuar shpërthimet dhe duke kërkuar vënien para përgjegjësisë të autorëve.

Shkruar nga Versus

Çfarë do të gjeni në brendësi

*Veriu i Kosovës është përballur me tre sulme brenda 72 orëve të fundit. I pari ishte ai i hedhjes së një granate në oborrin e drejtorisë së policisë në Zveçan, më pas shpërthimi i një granate në të njëjtën komunë. Ndërsa më së fundmi, mbrëmë një shpërthim në Zubin Potok dëmtoi kanalin e ujësjellësit të Ibër-Lepencit që furnizon me ujë 700 mijë banorë. *Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti zhvilloi një mbledhje urgjente me Këshillin e Sigurisë duke bërë thirrje që të merren të gjitha masat për sigurimin e infrastrukturës dhe për këtë gjë kërkoi edhe aktivizimin e ushtrisë dhe policisë. *Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Zveçla bëri me dije se për shpërthimin në kanalin e ujësjellësit ishin përdorur 15 kg eksploziv. *Për situatën në Kosovë presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj zhvilloi një bisedë telefonike me homologen e tij, Vjosa Osmani të cilës i shprehu mbështetjen për të përballuar situatën e krijuar. *SHBA dhe BE kanë reaguar duke dënuar shpërthimet dhe duke kërkuar vënien para përgjegjësisë të autorëve.

10 Postime
4 DITE ME PARE

Sulmi në Ibër-Lepenc/ Policia arreston 8 të dyshuar, konfiskon armatim e eksploziv

Shpërthimet në Ibër-Lepenc! 8 të arrestuar, Policia

Autoritetet Kosovare i kanë arrestuar tetë të dyshuar dhe kanë konfiskuar armatim, përfshirë eksploziv, pas një operacioni të gjerë të shtunën në lidhje me një shpërthim në kanalin e Ibër-Lepencit në veri të Kosovës, njoftoi ministri i Brendshëm i Kosovës.

Shpërthimi mbrëmjen e së premtes i shkaktoi dëme të konsiderueshme kanalit të ujit të Ibër-Lepencit në fshatin Varragë të komunës së Zubin Potokut, duke i nxitur autoritetet kosovare ta akuzojnë Serbinë për sulm “kriminal dhe terrorist” ndaj infrastrukturës jetike të vendit.

Duke folur në një konferencë të jashtëzakonshme për media në Mitrovicën e Jugut, Sveçla tha se shpërthimi ndaj kanalit të Ibër-Lepencit, i cili furnizon disa pjesë të vendit me ujë, ishte më i rëndë ndaj infrastrukturës kritike të vendit që pas luftës në Kosovë më 1998-1999.

“Ky sulm terrorist nuk është sulm i rëndomtë, por i bashkërenduar nga organizatat terroriste... synimi ka qenë që dëmi të jetë maksimal ndaj shtetit të Kosovës dhe qytetarët të tij”, tha ai./ REL/ 

Shpërthimet në Ibër-Lepenc! 8 të arrestuar, Policia

Shpërthimet në Ibër-Lepenc! 8 të arrestuar, Policia   

4 DITE ME PARE

Sulmi në veri të Kosovës, deputeti gjerman kërcënon Serbinë: Nëse ju fshiheni pas sulmit, negociatat me BE-në kanë marrë fund

Shpërthimet në Ibër-Lepenc! 8 të arrestuar, Policia

Kryetari i Komitetit për Çështjet e Jashtme të Parlamentit të Gjermanisë, Michael Roth ka kërcënuar hapur Serbinë në një postim të publikuar në llogarinë e tij në Twitter pas sulmeve terroriste të ndodhura në veri të Kosovës.

Roth shkruan në statusin e tij se këto metoda terroriste ruse kundrejt një vendi sovran në zemër të Evropës duhen të hetohen. Ai shton më pas se nëse Serbia qëndron pas këtij sulmi ateherë kjo do të ishte fundi i negaciatave të saj me Serbinë.

'Këto janë metoda terroriste ruse kundër një vendi sovran në zemër të Evropës. Këto sulme duhet të hetohen pa mëshirë. Nëse Serbia qëndron vërtet pas tyre, gjë që shpresoj se nuk është kështu, atëherë ky do të ishte fundi i negociatave të BE-së me Serbinë” shkruan deputeti gjerman në postimin e tij.

Gjatë 72 orëve të fundit veriu i Kosovës është përballur me tre sulme.  I pari ishte ai i hedhjes së një granate në oborrin e drejtorisë së policisë në Zveçan, më pas shpërthimi i një granate në të njëjtën komunë. Ndërsa më së fundmi, mbrëmë një shpërthim në Zubin Potok dëmtoi kanalin e ujësjellësit të Ibër-Lepencit që furnizon me ujë 700 mijë banorë. Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Zveçla bëri me dije se për shpërthimin në kanalin e ujësjellësit ishin përdorur 15 kg eksploziv./Versus.al

4 DITE ME PARE

“Po të donim, e kthenim lumin përpjetë”, Vuçiç për shpërthimin në Kosovë: S’kërkoj falje, nuk e kam bërë unë

Shpërthimet në Ibër-Lepenc! 8 të arrestuar, Policia

Presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka mohuar që Beogradi të jetë i përfshirë në sulmet e ndodhura në veri të Kosovës gjatë 72 orëve. Sa i takon rrjetit të ujësjellësit në Ibër-Lepenc Vuçiç tha se nëse do të kishte dashur diçka të tillë, mund të kishte bërë dëm më të madh.

“Asnjëherë mos merrni vendime nën presion. Si mendoni, pse nuk nxitova sot në orën gjashtë të mëngjesit të them se Serbia nuk ka lidhje me atë që ndodhi në Ibër-Lepenc. E dini, ne mund ta bënim këtë dhe ta kthenim lumin përpjetë për ta, nuk na duhej asnjë terrorizëm”, ka thënë Vuçiç.

Ai pretendoi se nuk ka përse të kërkojë falje për diçka në të cilën nuk ka gisht.

“Çfarë duhet të bëj që të justifikohem, të vrapoj nëpër mediat e botës, t’u kërkoj falje për diçka që nuk e kam bërë, nëse do ta interpretojnë si të duan. Prandaj gjithmonë ngadalë, në fund, gjithçka do të bjerë në vend. Është e rëndësishme vetëm të punosh, të luftosh dhe të besosh në vetvete”- përfundoi ai në deklaratën e tij.

Kurti ka akuzuar Serbinë për “sulm kriminel dhe terrorist”, i cili, sipas tij, ka synuar “ta dëmtojë infrastrukturën mbase më të rëndësishme” të vendit. Versus.al

4 DITE ME PARE

Kurti në vendin ku ndodhi shpërthimi: Ka disa të arrestuar, s’është krim që bëhet nga njerëz të zakonshëm

Shpërthimet në Ibër-Lepenc! 8 të arrestuar, Policia

Kosovë- Kryeministri Albin Kurti ka shkuar në vendngjarje ku ndodhi shpërthimi që dëmtoi rrjetin e furnizimit me ujë në Zubin Potok, ku ka bërë me dije para mediave se policia ka kryer disa bastisje dhe se për ngjarjen ka persona të arrestuar.

“…Erdhëm që ta shohim në vendin e ngjarjes dëmin e jashtëzakonshëm që na është shkaktuar mbrëmë nga ky sulm terrorist e kriminal që ka dëmtuar infrastrukturën kritike meqenëse e ka dëmtuar rëndë edhe prodhimin e energjisë elektrike dhe furnizimin me ujë.

Policia po i zhvillon hetimet, ka kryer bastisje, ka edhe arrestime, dëshmi e prova materiale dhe të gjithë këta kriminal e terrorist do të përballen me drejtësinë dhe fuqinë e ligjit”, tha Kurti.

Kurtit tutje tha se ky është sulmi i tretë brenda pak orëve dhe prandaj nuk ka mundësi të jetë kryer nga persona të zakonshëm. 

“Unë e pash vendin e ngjarjes dhe nuk ka mundësi që të bëjë një ose dy individë, ose qytetarët të zakonshëm. E ka bërë një organizatë që është profesioniste në sulmet e tilla terroriste dhe aftësinë, kapacitetin e interesin për një gjë të tillë e ka vetëm Serbia”, tha Kurti duke siguruar qytetarët se shteti do të garantojë funksionimin e rrjetit të ujësjellësit të dëmtuar. Versus.al

4 DITE ME PARE

Shpërthimi në Zubin-Potok, ministri serb: Kurti nxitohet që akuzon Serbinë! Jemi të gatshëm të…

Shpërthimet në Ibër-Lepenc! 8 të arrestuar, Policia
Marko Gjuriç

Ashtu siç pritej, Serbia ka mohuar të ketë lidhje me shpërthimin e ndodhur gjatë natës në Zubin Potok ku u dëmtua rrjeti i kanalizimit që furnizonte me ujë 700 mijë banorë. 

Mirëpo, ministri i Jashtëm serb, Gjuriç ka deklaruar se Serbia është e gatshme të ofrojë ndihmë për riparimin errjetit të furnizimit me ujë. 

“Serbia dënon me termat më të ashpra sulmin e fundit ndaj kanalit të Ibër-Lepencit. Ky akt sabotimi thellësisht shqetësues rrezikon jetët dhe mirëqenien e shumë njerëzve në rajon”, tha Gjuriç në një reagim në X. Versus.al

4 DITE ME PARE

Shpërthimet në veri të Kosovës, Rama: Krim i rëndë! Të ndëshkohen sa më shpejt autorët

Shpërthimet në Ibër-Lepenc! 8 të arrestuar, Policia

Kryeministri Edi Rama ka reaguar nëpërmjet një postimi në rrjetin social "X" lidhur me zhvillimet e fundit në veri të Kosovës ku brenda 72 orëve u regjistruan 3 shpërthime. 

Ram e cilësoi ngjarjen si krim të rëndë dhe tha se sulme të tilla godasin procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes shteteve në rajon. 

"Akti i sabotazhit mbi infrastrukturën kritike të furnizimit me ujë në kanalin e Ibër Lepencit është një krim i rëndë, i cili cënon jetën e qytetarëve të Kosovës dhe godet procesin e normalizimit të marrëdhënieve në rajonin tonë, ku të gjitha shtetet janë të përfshira në rrugën e integrimit në Bashkimin Europian. Kjo goditje kriminale duhet zbardhur e ndëshkuar sa më parë me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë. Ndërkohë Bashkimi Europian duhet të heqë menjëherë sanksionet e mbetura ndaj Kosovës dhe të riangazhohet në një format të ri dialogu për normalizim mes Kosovës dhe Serbisë. Formati ekzistues ka dështuar të prodhojë rezultatet e dëshiruara dhe është koha që çështjet e dialogut të kalojnë përmes marrëdhënieve bilaterale të BE-së me Kosovën apo Serbinë, si dy shtete njësoj të pavarura prej njëra-tjetrës, ku fati europian i secilit shtet s’mund të varet nga dëshirat a mosdëshirat e shtetit tjetër; ashtu sikundër fati europian i krejt rajonit s’mund të varet nga mosnjohja e Kosovës nga Serbia apo 5 shtete anëtare të BE-së"- shkruan Rama. Versus.al

4 DITE ME PARE

Begaj bisedë telefonike me Osmanin pas shpërthimeve në veri të vendit: Dënojmë ashpër aktet terroriste

Shpërthimet në Ibër-Lepenc! 8 të arrestuar, Policia
Foto: Presidenti Bajram Begaj dhe homologia Vjosa Osmani në një konferencë të mëparshme

Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani lidhur me tre shpërthimet e ndodhura brenda 72 orëve të fundit në veri të vendit.

Duke dënuar ashpër ato që i cilësoi “akte terroriste”, Begaj shprehu mbështetjen ndaj Kosovës për të përballuar situatën dhe hetimin e plotë të ngjarjes.

"Shqipëria mbështet fuqishëm të gjitha përpjekjet e Republikës së Kosovës për përballimin e situatës dhe hetimin e ndëshkimin e plotë të këtij akti sabotues e terrorist."- thuhet në komunikatën e shpërndarë nga presidenca. Versus.al

 

4 DITE ME PARE

“U përdorën 15 kg eksploziv”, Zveçla për shpërthimin në Zubin-Potok: Qëllim, destabilizimi i vendit

Shpërthimet në Ibër-Lepenc! 8 të arrestuar, Policia
Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Zveçla

Kosovë- Ministri i Brendshëm Xhelal Zveçla inspektoi vendngjarjen në Zubin Potok ku pati një shpërthim që dëmtoi seriozisht një pjesë të kanalit të Ibër-Lepencit.

Duke e cilësuar si “sulm terrorist”, Zveçla tha se ishin përdorur 15 kg eksploziv për shpërthimin që ka dëmtuar rrjetin e ujësjellësit që furnizon 700 mijë banorë.

“Një pjesë e kanalit të Ibër-Lepencit u dëmtua seriozisht, nuk dihet ende saktësisht për eksplozivin, por sipas eksperteve të policisë, flitet diku për rreth 15 kg eksploziv”, tha Zveçla.

Sveçla tha se qëllimi i këtij sulmi është destabilizimi i vendit. Ndaj, aktit në kanalin Ibër – Lepenc kanë reaguar edhe SHBA, BE dhe EULEX-i, duke kërkuar që kryerësit e këtij akti të kapen dhe të nxirren para drejtësisë.

Gjatë dy ditëve të fundit në veri të vendit, respektivisht në Zveçan, janë sulmuar me granata dore objektet e stacionit policor dhe ai i Komunës. Versus.al

4 DITE ME PARE

Tre sulme brenda 72 orëve të fundit, Kurti mbledh Këshillin e Sigurisë: Nuk lejojmë Serbinë të destabilizojë

Shpërthimet në Ibër-Lepenc! 8 të arrestuar, Policia
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti

Kosovë- Këshilli i Sigurisë ka zhvilluar një mbledhje të jashtëzakonshme në orët e para të ditës së sotme pas sulmit të tretë të ndodhur brenda 72 orëve në veri të vendit.

Pas sulmeve me granatë në ndërtesën e komunës së Zveçanit dhe pas shpërthimit që dëmtoi rrjetin e ujësjellësit të Ibër-Lepencit që furnizonte me ujë 700 mijë banorë, qeveria është mbledhur për të diskutuar masat emergjente që duhet të ndërmerren, ndër to edhe aktivizimi i FSK dhe policisë së Kosovës për të forcuar sigurinë.

“Kjo mbledhje u thirr pas sulmit të tretë në 72 orët e fundit, që këtë herë ka shënjestruar infrastrukturën kritike të vendit – sistemin e furnizimit me ujë dhe prodhimin e energjisë elektrike. Indikacionet e para sugjerojnë se ky sulm i radhës është orkestruar nga shteti serb, i cili ka kapacitete për një sulm të këtillë kriminal e terrorist. Elemente të organizatave terroriste “Mbrojtja Civile” e “Brigada Veriore” dhe kryekrimineli Millan Radoiçiç nën dirigjimin e Presidentit dhe Qeverisë së Serbisë planifikojnë e ushtrohen në Serbi për sulme të këtilla profesioniste. U vu në pah edhe ndërlidhja e gjasshme me sulmet e Rusisë agresore në Ukrainë mbi kapacitetet energjetike gjatë kësaj jave duke lënë mbi një milion amvisëri ukrainase pa energji elektrike pikërisht në prag të dimrit”- thuhet në njoftimin e lëshuar me shkrim.

Gjatë mbledhjes, anëtarët e Këshillit diskutuan masat emergjente që janë marrë dhe po ndërmerren për të zbutur pasojat e sulmit dhe për të garantuar sigurinë e infrastrukturës kritike në vend. Janë ndërmarrë hapa konkretë për të rikthyer situatën në normalitet duke siguruar qytetarët se furnizimi me ujë dhe energji elektrike do të rregullohet sa më shpejt.

Për më tepër, Këshilli i Sigurisë ka aprovuar masa shtesë për të forcuar sigurinë rreth objekteve dhe shërbimeve kritike si ura, trafostacione, antena, liqene, kanale etj. Policia e Kosovës dhe Forca e Sigurisë së Kosovës do të aktivizohen në terren për këtë qëllim. Po ashtu është intensifikuar bashkëpunimin ndërinstitucional dhe ai ndërkombëtar për të parandaluar sulme të ngjashme në të ardhmen.

“Shteti ynë është i vendosur dhe i përgatitur për t’i mbrojtur qytetarët e tij dhe infrastrukturën kritike. Ne nuk do të tolerojmë akte të tilla që synojnë destabilizimin e Kosovës dhe kërcënojnë paqen dhe funksionimin demokratik. Situata po vihet nën kontroll drejt rikthimit në normalitet. Kërkojmë nga të gjithë faktorët ndërkombëtarë që ta dënojnë këtë sulm që na shkaktoi dëmtime të mëdha.”- u shpreh Kurti gjatë mbledhjes.

Sulmet e ndodhura brenda kësaj kohe, janë dënuar edhe nga SHBA-ja dhe BE-ja që kërkuan zbardhjen e personave përgjegjës. Versus.al

4 DITE ME PARE

Shpërthimi në kanalin që furnizon me ujë 700 mijë banorë, SHBA e BE dënojnë sulmin në veri të Kosovës

Shpërthimet në Ibër-Lepenc! 8 të arrestuar, Policia

Shtetet e Bashkuara të Amerikës e dënuan sulmin e së premtes në kanalin e furnizimit me ujë nga liqeni i Ujmanit në veri të Kosovës.

Në një deklaratë të publikuar nga ambasadori amerikan Jeff Hovenier, thuhet se Shtetet e Bashkuara e dënojnë fuqishëm sulmin e 29 nëntorit “në infrastrukturën kritike në Kosovë duke dëmtuar një kanal ujor në Zubin Potok që është thelbësor për furnizimin me ujë të Kosovës dhe funksionimin e termocentraleve të Kosovës. Ne jemi duke e ndjekur situatën nga afër, do të mbështesim një hetim gjithëpërfshirës dhe i kemi ofruar mbështetjen tonë të plotë Qeverisë së Kosovës për të siguruar që personat përgjegjës për këtë sulm kriminal të identifikohen dhe të mbahen përgjegjës”.

Shpërthimi në kanalin furnizues ndodhi pak kohë pas njoftimeve se policia e Kosoveës shtoi masat e sigurisë për shkak të disa shpërthimeve që ndodhën gjatë javës në veriun e banuar me shumicë serbe.

“Ne gjithashtu dënojmë sulmet e fundit me granata në stacionin policor të Zveçanit më 26 nëntor dhe në ndërtesën e komunës së Zveçanit më 28 nëntor. Këto veprime të dhunshme nuk kanë vend në një shoqëri demokratike dhe ata që janë përgjegjës për këto sulme kriminale kundër autoriteteve legjitime të Republikës. Së Kosovës duhet të mbahen përgjegjës”, thuhet në reagimin e ambasadorit Hovenier në të cilin theksohet se Shtetet e Bashkuara “do të vazhdojnë të solidarizohen me popullin dhe Qeverinë e Kosovës përballë sulmeve të tilla kriminale”.

Zyra e BE-së në Kosovë, dënon sulmin në Zubin Potok

“E dënoj sulmin në kanalin e ujit në Zubin Potok që po lë pjesë të konsiderueshme të Kosovës pa furnizim më ujë”, tha në një reagim shefi i zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë, Aivo Orav.

Ai shkroi në rrjetet sociale se tashmë u ka ofruar autoriteteve të Kosovës ndihmën e BE-së duke nënvizuar se “ngjarja duhet të hetohet dhe përgjegjësit të vihen para drejtësisë”.

Ndërkohë, kryeministri Albin Kurti në një deklaratë për mediat është shprehur se ka dyshime se sulmi është orkestruar nga Serbia. Versus.al

Poll