Çfarë do të gjeni në brendësi
*Kryesia e PS u mlodh mëngjesin e sotëm për të zyrtarizuar Vangjel Tavon si kandidat për zgjedhjet e parakohshme në bashkinë e Himarës që do të mbahen më 4 gusht. Prej marsit të këtij viti, Tavo mbante postin e prefektit të Vlorës. *Blendi Klosi tha për mediat se arsyeja e zgjedhjes së Tavos si kandidaturë vjen si pasojë e njohjes që ai ka për zonën e Himarës dhe rezultateve të tij në betejat elektorale. *Kryesia e PS vendosi edhe për shtyrjen e datës së Kongresit Zgjedhor nga 20 korriku që ishte planifikuar për në 27 korrik. *Kryeministri Edi Rama niset sot drejt SHBA-ve për të marrë pjesë në samitin e NATO-s që do të mbahet në datat 9-11 korrik.
Kandidat i PS për bashkinë “problematike” të Himarës, kush është Vangjel Tavo, ish-ministër dhe deputet i LSI-së

Socialistët zgjodhën sot Vangjel Tavon si kandidat për bashkinë e Himarës në zgjedhjet e parakohshme që do të mbahen më 4 gusht pasi të premten KQZ shpalli të pavlefshëm mandatin e Fredi Belerit i cili ndodhet në burgun e Fierit i dënuar me 2 vite burg për blerje votash.
Por kush është Vangjel Tavo, dikur ish-deputet i LSI dhe ministër Shëndetësise?
Tavo ka lindur në një fshat afër Gjirokastrës, më 17 dhjetor 1969. Ka përfunduar studimet për mjekësi dhe më pas ka kryer specializimin për Gjinekologji. Karriera e tij politike nisi në vitin 1996 kur ai, duke përfaqësuar Partinë Socialiste të Shqipërisë, fitoi zgjedhjet në Gjirokastër për herë të parë për Partinë e tij pas një kohe shumë të gjatë. Por për shkak të një problemi në vend ai hyri në parlament vetëm në vitin 1997. Më pas, deri në vitin 2010, ai ishte deputet i Shqipërisë duke qenë pjesë e Partisë Socialiste. Në këtë vit ai ndërroi Partinë e tij dhe iu bashkua LSI-së, partisë së kryesuar nga Ilir Meta. Ai zëvendësoi Petrit Vasilin duke mbajtur postin e ministrit të Shëndetësisë nga viti 2012 deri në 2013.
Më pas deri në vitin 2017, Tavo ishte deputet i LSI-së në Kuvendin e Shqipërisë, për t’u shkëputur më pas për njëfarë kohe nga skena aktive politike. U rikthye në mars të këtij viti duke u emëruar me vendim të këshillit të ministrave prefekt i qarkut të Vlorës.
Bashkia e Himarës, nuk ka gjetur qetësi edhe pas arrestimit të Belerit. Në mars, u arrestua kryebashkiaku socialist Jorgo Goro i cili pavarësisht humbjes mbeti në detyrë. Ndaj tij rëndon akuza për tjetërsimin e pronave në Himarë. Ndërsa u pasua nga Blerina Bala e cila nuk zgjati as tre muaj në post dhe dha dorëheqjen për arsye personale, për t’u zëvendësuar më pas nga Arqile Bollano i cili u zgjodh në qershor si kryebashkiak i përkohshëm deri në mbajtjen e zgjedhjeve të reja. Versus.al
PS shtyn datën për Kongresin Zgjedhor, Rama niset sot drejt SHBA

Përveç zgjedhjet së emrit të kandidatit për kryebashkiak të Himarës, kryesia PS vendosi gjatë mbledhjes së sotme edhe shtyrjen e datës për Kongresin Zgjedhor.
Nga 20 korriku që ishte planifikuar të mbahej, tashmë kongresi do të mbahet më 27 korrik.
Ndërkohë, kryeministri Edi Rama do të niset gjatë ditës së sotme drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës ku do të marrë pjesë në samitin e NATO-s që mbahet në datat 9-11 korrik. Versus.al
Zgjedhjet e parakohshme në Himarë, socialistët zgjedhin Vangjel Tavon si kandidat për kryebashkiak

Vangjel Tavo do të jetë kandidati i Partisë Socialiste në zgjedhjet e parakohshme që pritet të mbahen në bashkinë e Himarës më 4 gusht.
Përzgjedhja e tij u bë gjatë mbledhjes që kryesia e PS mbajti mëngjesin e sotëm në kuadër të daljes me një emër konkret pasi presidenti Bajram Begaj dekretoi datën 4 gusht për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme. Aktualisht Vangjel Tavo mban postin e prefektit në qarkun e Vlorës.
Sekretari i Përgjithshëm i PS, Blendi Klosi tha se arsyeja për zgjedhjen e Tavos si kandidaturë për bashkinë e Himarës, vjen si pasojë e njohjes që ky i fundit ka për zonën.
“Tavo është figurë e njohur politike, njohës i asaj zone. Po ashtu vjen edhe nga betejat elektorale që e bëjnë atë një kandidaturë të mirë. 4 gushti është shumë afër, do kemi një garë të qetë elektorale”- u shpreh Klosi.
Të premten KQZ shpalli të pavlefshëm mandatin e Fredi Belerit si kryebashkiak i Himarës, ndërkohë që ky i fundit ishte i pranishëm në sallë me pranga në duar pasi mori leje nga Drejtoria e Burgjeve për t’u paraqitur. Versus.al
Zgjedhjet e parakohshme në Himarë, Rama mbledh sot kryesinë e PS! Diskutohet emri i kandidatit

Partia Socialiste ka nisur përgatitjet për zgjedhjet e parakohshme që pritet të mbahen më 4 gusht për bashkinë e Himarës. Sot, kryeministri Edi Rama do të mbledhë në orën 08:30 për të diskutuar mbi kandidaturën e mundshme të socialistëve në Himarë.
Pjesë e diskutimeve pritet të jenë edhe përgatitjet e Partisë Socialiste për kongresin që do të mbahet më 20 korrik.
Nga ana tjetër, opozita nuk ka qartësuar ende qëndrimin e saj mbi zgjedhjet e parakohshme të Himarës pasi akuzoi presidentin Begaj për shpalljen e ditës së zgjedhjeve në kundërshtim me Kodin Zgjedhor.
Të premten, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpalli të pavlefshëm mandatin e Fredi Belerit si kryebashkiak, ndërkohë që ky i fundit ndodhej në sallë me pranga në duar. KQZ tha se ishim në kushtet e një pamundshmërie të ushtrimit të mandatit dhe për pasojë konsiderohet i pavlefshëm.
Në të njëjtën ditë presidenti Bajram Begaj dekretoi 4 gushtin si ditën për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në Himarë. Versus.al








