Aktorja dhe moderatorja Eliona Pitarka ka ndezur alarmin në rrjetet sociale duke denoncuar një praktikë të pafalshme që po ndodh në disa maternitete në Shqipëri: foshnjat e sapolindura ushqehen me formula pa dijeninë apo miratimin e nënave.
Në një postim në InstaStory, Pitarka ka publikuar mesazhin e një ndjekëseje, e cila rrëfen eksperiencën e saj:
“Me ka ndodhur me vajzën, e ushqyen infermieret me formulë me pretekstin që s’ke gji. Ma mbajtën një natë bebin larg meje që ta ushqenin.”
Eliona e quan këtë një praktikë të shëmtuar dhe të dëmshme, duke thënë se nuk është një ndihmë, por nje tentativë për sabotuar gjidhënien dhe për të krijuar varësi të foshnjës ndaj formulës që në orët e para të jetës.
Eliona Pitarka u bën thirrje të gjitha nënave të reja që të jenë të informuara dhe të mos pranojnë zëvendësimin e gjirit me formulë, përveç rasteve kur kjo është e nevojshme për arsye mjekësore.
Ajo thekson se sistemi shëndetësor, në vend që të mbështesë nënën dhe foshnjën, shpesh krijon pasiguri dhe mosbesim ndaj trupit të gruas në një nga momentet më të ndjeshme të jetës – pas lindjes.
“Gjiri yt nuk është i pamjaftueshëm – është i patjetërsueshëm,” – shkruan Pitarka, duke hapur një debat të rëndësishëm në rrjete sociale, ku shumë nëna kanë reaguar dhe ndarë përvojat e tyre të ngjashme.







