
“Ndoshta mund të bëjmë një duet me Dua Lipën po u kualifikua Shqipëria në Botëror,” tha me humor trajneri brazilian Sylvinho gjatë intervistës për mediat braziliane.
Megjithatë, serioziteti i tij si trajner i Kombëtares shqiptare është i pamohueshëm.
Sylvinho foli për përvojën e tij trevjeçare në Shqipëri dhe për rezultatet pozitive që ka arritur skuadra nën drejtimin e tij, duke e çuar ekipin drejt play-off-it të Kualifikueseve për Botërorin 2026.
“Të jesh trajner i një Kombëtareje është përgjegjësi e madhe. Përfshin të gjithë kombin dhe të gjithë vendin. Kam marrë shumë mesazhe mbështetëse edhe nga brazilianët, të cilët shpresojnë që një trajner brazilian të shkojë në Botëror. Do të ishte diçka e jashtëzakonshme,” u shpreh ai.
Ai ka pasur fjalë të mira edhe për vendin tonë:
“Shqipëria është një vend shumë i sigurt dhe po zhvillohet me një ritëm të madh në të gjitha aspektet. Qytetet janë të bukura, kulinaria është e shkëlqyer, dhe ndihem i qetë duke punuar dhe jetuar në Tiranë, me mbështetjen e federatës dhe presidentit, që është shumë i pasionuar.”
Sa i përket ekipit, Sylvinho theksoi përbërjen e larmishme të lojtarëve:
“Kemi një miks lojtarësh, shumica luajnë jashtë vendit, në kampionate të rëndësishme si Italia, Spanja dhe Anglia. Jam shumë i kënaqur me të gjithë dhe rezultatet që kemi arritur deri tani janë shumë të mira.”

