Uefa Champions League ka nisur këtë të martë me ndeshjet e pesta të formatit të ri, atë të një renditje të përbashkët të 36 skuadrave. Me fillim nga 18:45 te fitoret kanë dalë Milani dhe Atletico Madridi.
Në Bratislavë, Milani mposhti 2-3 vendasit e Slovan në një ndeshje me emocione deri në fund. Ishte Pulisic për italianët që zhbllokoi ndeshjen pas 21 minutave lojë, por më pas Barseghyan përfitoi nga gabimi i kuqezinjve dhe vendosi ekuilibrat pas vetëm tre minutave lojë.
Milan pati vështirësi në pjesën e parë për të gjetur një tjetër gol, gjë që e bëri në fraksionin e dytë me Leao dhe Abraham në minutat 68 dhe 71. Kur u duk se fundi nuk do prodhonte gjë, produkti i Slovan, Marcelli shënoi një gol të bukur nga jashtë zone për të mposhtur Maignan. Me vendasit që ‘morën krahë’ dhe po shtynin në sulm, kartoni i kuq për protesta i Tolic i prishi punë vendasve. Kështu Milan shijon suksesin e tretë radhazi në Champions dhe shkon në kuotën e nëntë pikëve. Nga ana tjetër Slovan ende nuk e ka shijuar pikën e parë.
Në Pragë, Sparta e shqiptarëve u mposht thellë 0-6 nga Atletico Madrid. Nga minuta e parë për vendasit e nisi Laçi, Krasniqi dhe Rrahmani, ndërsa në pjesën e dytë 29 minuta mori edhe Indrit Tuci. Miqtë e Simeones shënuan dy gola në pjesën e parë me Alvarez dhe Llorente, ndërsa sërish Alvarez, Griezmann dhe dopieta e Correa në fund bënë që madrilenët të gjenin gjashtë gola në udhëtim dhe të shkojnë në kuotën e nëntë pikëve. Sparta ndërkohë mbetet me katër pikë.