FIFA ka dënuar Federatën Shqiptare të Futbollit me 173 mijë euro gjobë dhe mbyllje të 20% të stadiumit të Arenës Kombëtare për ndeshjen me Letoninë që do të zhvillohet për kualifikueset e Botërorit 2026.
Mësohet se shkak për këtë vendim janë bërë pretendimet e palës serbe për sjellje diskriminuese të tifozëve kundrejt lojtarëve të kombëtares së Serbisë.
“Sipas vendimit, FSHF dënohet me një gjobë prej 161,500 franga zvicerane dhe detyrimin që ndeshja e radhës në shtëpi ndaj Letonisë të luhet me të paktën 20% të kapacitetit të stadiumit të mbyllur për publikun, për shkak të sjelljeve të përsëritura të papërshtatshme dhe diskriminuese të një pjese të tifozëve shqiptarë (këngë me përmbajtje diskriminuese, hedhje objektesh, ndezje fishekzjarrësh, përdorimi i gjesteve apo mesazheve të papërshtatshme për një ngjarje sportive, si dhe ndërprerje gjatë himneve kombëtare)”- thuhet në njoftim.
Gjatë ndeshjes së zhvilluar më 7 qershor që u mbyll me barazim 0-0, pati disa momente kur lojtarët serbë shtriheshin në fushë duke pretenduar se ishin goditur pas koke me sende të forta, ndërkohë që tifozët u kontrolluan rreptësisht para hyrjes duke e bërë të pamundur që të kenë patur me vete sende të forta. Versus.al







