
Konferenca për shtyp e trajnerit të Kombëtares shqiptare, Sylvinho, pas fitores historike ndaj Serbisë, u karakterizua nga qetësi, buzëqeshje dhe elegancë, por edhe nga një moment ironik që tërhoqi vëmendjen e mediave.
Gjatë konferencës, një gazetar serb e pyeti brazilianin në lidhje me festën e golit të Rei Manajt, i cili pas shënimit kishte bërë me duar simbolin e shqiponjës dykrenare, gjest që shkaktoi irritim tek gazetarët serbë të pranishëm.
Në vend që të reagonte me tension, Sylvinho zgjodhi të përgjigjej me ironi dhe dinjitet, duke iu kthyer në shqip:
“Përshëndetje!”, – tha ai me buzëqeshje, duke dhënë një mesazh të qartë se në Serbi, atë ditë, flitej shqip.
Edhe pse përkthyesja Lenida Halilaj e kujtoi se duhej të vazhdonte në italisht, Sylvinho shtoi me qetësi:
“Po e përshëndes në gjuhën shqipe, më pas do të flas italisht.”
Sa i përket festës së Manajt, ai u shpreh:
“Në fakt, nuk e kam parë momentin e festës, por fakti që ka marrë karton të verdhë tregon se ka bërë diçka. Rei është lojtar shumë i mirë, ka shënuar shumë gola dhe është shumë i rëndësishëm për ne. Në fushë ka pasur respekt mes skuadrave – futbolli është i tillë. Jam i lumtur për atë që pamë dje. Edhe Serbia është pritur mirë në Shqipëri, raporti ka qenë shumë pozitiv.”
Kujtojmë se Shqipëria triumfoi 1-0 në transfertë, në një sfidë vendimtare për kualifikimin në Kampionatin Botëror, duke shënuar një nga fitoret më të rëndësishme të viteve të fundit për kuqezinjtë.







