Maestro dhe tenori, Armaldo Kllogjeri, është shprehur se ka fituar gjyqin me Teatrin e Operës dhe Baletit, e cila sipas tij e kishte pushuar padrejtësisht nga puna pas 20 vitesh karrierë, vetëm një muaj përpara se të hynte në shtëpinë e Big Brother VIP.
Tenori Armanldo Kllogjeri, ish-banori i Big Brother VIP2 i cili kishte denoncuar Teatrin e Operës dhe Baletit për heqjen nga puna, ka fituar gjyqin ndaj institucionit.
Lajmin e bëri me dije vetë ai në rrjetet sociale duke bërë me dije se pasi fitoi gjyqin, ka si qëllim të performojë sërish në skenë.
“Ju e dini që prej disa muajsh, unë kam hedhur në gjyq Teatrin e Operës dhe Baletit dhe kam thënë që për bukën e fëmijëve të mi, do t’i shkojë deri në fund kësaj çështje. Doja t’iu falënderoja nga zemra për mbështetjen dhe suportin që më keni dhënë. Jeni shumë të mirë. Por gjithashtu dua të ndaj me ju një lajm të gëzueshëm, që kam fituar gjyqin me Teatrin e Operës dhe Baletit. Në fakt, me ish-drejtoreshën e Teatrit të Operës dhe Baletit, e cila e ka shkelur ligjin me të dyja këmbët. Tashmë lufta vazhdon për t’u rikthyer në Teatrin e Operës dhe Baletit, për të prekur skenën, për të kënduar dhe për të përformuar për ju, publik i dashur”, tha Kllogjeri në videomesazhin e tij. Versus.al







