Luis Enrique nuk duket nën presion për shkak të rezultateve jo të favorshme të PSG-së në katër takimet e para të Championsit.
Në konferencën për shtypin para përballjes me Bayernin, spanjolli tenton ta kalojë presionin në kahun e bavarezëve.
“Besimi rritet çdo javë, kur shoh lojtarët e mi duke u stërvitur. Është e qartë se ne dhe Bayerni jemi dy skuadra shumë të ngjashme; duam të kemi kontrollin e topit, ushtrojmë presion shumë të lartë, dhe statistikat tona janë të ngjashme. Por nesër do të ketë vetëm një top, kështu që njëra skuadër do të duhet të vuajë: ose ata, ose ne.”
Enrique vazhdon më tej:
“Kemi luajtur 12 ndeshje në Ligue 1 dhe katër në Champions League, gjithsej gjashtëmbëdhjetë ndeshje. Përveç ndeshjes kundër Arsenalit (humbje 2-0), mendoj se skuadra ime ka bërë paraqitje të shkëlqyera. Statistikat tona, si në sulm ashtu edhe në mbrojtje, e tregojnë këtë.
Nesër, megjithatë, do të na duhet të shkojmë përtej asaj që jemi mësuar, të vrapojmë më shumë dhe të ngremë nivelin tonë. Pozita jonë aktuale është e padrejtë, por kjo është situata. Tani na duhen rezultate të mira për t’u kualifikuar. Nuk dimë ende sa pikë do të na duhen, por e kemi vënë veten në një situatë të vështirë.”