
Trajneri i Kombëtares shqiptare, Sylvinho, doli sot para medieve në prag të sfidës ndaj Anglisë, në kuadër të kualifikimeve për Botërorin. Shqipëria e ka siguruar tashmë pjesëmarrjen historike në play-off, ndërsa Anglia, si fituese e grupit, ka vulosur kualifikimin direkt. Megjithatë, trajneri i kuqezinjve vlerësoi maksimalisht rëndësinë sportive dhe emocionet që sjell kjo ndeshje.
Silvinjo kërkoi qartësi nga opinioni kur bëhet krahasimi midis Shqipërisë dhe gjigantëve të futbollit botëror:
“Ju lutem, mos krijoni konfuzion. Kur flasim për Anglinë, flasim për një skuadër që është tashmë në Botëror dhe një ndër favoritët kryesorë. Spanja, Brazili, Argjentina, Gjermania, Franca… ky është një nivel krejt tjetër. Ne jemi shumë të lumtur që për herë të parë në histori do të luajmë play-off në mars, por kjo është diçka ndryshe. Nesër do të jetë një sfidë specifike dhe shumë e veçantë.”
Trajneri i vlerësoi edhe cilësitë e kundërshtarit:
“Anglia ka një trajner të shkëlqyer dhe 25-26, madje edhe 40 lojtarë që aktivizohen në Premier Ligë dhe kampionate të forta të Europës. Kanë luajtur 7 ndeshje, kanë 21 pikë dhe nuk kanë pësuar asnjë gol. Flasim për një nga pretendentët kryesorë për Kupën e Botës.”
Sa i përket ndeshjes së fundit kundër Andorrës, Silvinjo u tregua i hapur:
“E dinim që do të ishte e vështirë. Edhe Anglia i mundi vetëm 1-0. Fusha është e vështirë, ata mbrohen shumë mirë. Por për ne, fitorja dhe arritja e objektivit ishin jetike.”
Trajneri foli edhe për situatën e Brojës, pas vështirësive të tij të fundit:
Më pyetët për Armandon… Po, fola me të, veçmas, dhe pastaj me të gjithë grupin. Situata është e zgjidhur, nuk ka asnjë problem. Ai është i zhgënjyer, sepse e di çfarë mund të japë, por tani jemi të gjithë të fokusuar te skuadra. Jemi në play-off, kemi fituar pesë ndeshje dhe kemi arritur diçka të madhe. Duhet ta gëzojmë këtë moment. Nesër do të provojmë ta shijojmë ndeshjen, edhe pse e dimë që do të jetë shumë e vështirë.”
