Sonte në orën 20:45 Kombëtarja Shqiptare përballet me Çekinë në një ndeshje të vlefshme për Ligën e Kombeve. Dëmtimet e shumta të lojtarëve, bënë që Sylvinho të ishte i detyruar të bënte disa ndryshime sa i takon listës së grumbullarëve të futbollistëve të ftuar.
Një prej lajmeve të mira është rikthimi i mesfushorit Kristian Asllani. Mbrëmjen e sotme, pritet që Sylvinho të luajë me skemën e tij 4-2-3-1 ku porta do t’i besohet Thomas Strakoshës, mbrojtja do të përbëhet nga katërshja Mitaj në të majtë, Hysaj në të djathtë dhe qendra me dyshen Kumbulla dhe Ismajli.
Ndërsa në mesfushë, Asllani dhe Ramadani dhe më tej Laçi luan përpara. Nga krahët, Bajrami në të majtë dhe Asani në të djathtë që do të ndihmojnë në qendër sulmuesin e rikthyer, Mirlind Daku.
Në kampin kuqezi ka optimizëm për të marrë maksimumin në ndeshjet e tetorit. Ndeshja e sotme luhet në Pragë ndërsa tre ditë më vonë, Kombëtarja do të udhëtojë drejt Gjeorgjisë.
Aktualisht kuqezinjtë janë në vendin e dytë me 3 pikë ndërsa kreun e mban Gjeorgjia me 6 pikë të plota.








