Mbrojtësi anësor, Elseid Hysaj është futur në histori të Kombëtares, si lojtari me më shumë ndeshje me fanellën kuqezi, plot 94 të tilla.
Pas ndeshjes, ai foli për TVklan duke rrëfyer se i kishte mbetur merak ndeshja me Kroacinë në Europianin e kaluar. Megjithatë, Hysaj tha se edhe momentet më të vështira i kalon me sportivitet duke u përpjekur të mos i shfaqë.
“Më kapi emocioni kur do hyja në fushë dhe do thyeja rekordin. Ndeshja me Kroacinë, në Europian, e kam më bezdi se me Italinë. Mund të kishim marrë një rezultat më të mirë se 2-2. Edhe unë si tip, e mbaj veten, flas me familjen, por nuk flas shumë për problemet. I mbaj mbyllur. Mundohem t’i kaloj me buzëqeshje. Duhet shumë pozitivitet. Unë e kam atë. Është mentaliteti. Unë jam rrit në Shqipëri. Askush nuk të fal asgjë”, u shpreh Hysaj i cili mbrëmjen e sotme kaloi rekordin e kapitenit Lorik Cana për ndeshjet me kombëtaren. Versus.al







