MAGAZINË /

“I rënë nga qielli” / Tom Kuka shpallet “Autori i vitit” në Panairin e Librit

Po sot, janë shpallur dhe fituesit e çmimeve më prestigjioze në fushën e letërsisë dhe përkthimit për këtë vit. Autorë, përkthyes dhe studiues të njohur u nderuan për kontributet e tyre në fushat përkatëse.

Shkruar nga Versus

“I rënë nga qielli” / Tom Kuka shpallet “Autori i

Tom Kuka, pseudonimi letrar i Enkel Demit, autori i romanit "I rënë nga qielli" u shpall fitues i çmimit autori më i mirë i panairit i 27-të të Librit. Po sot, janë shpallur dhe fituesit e çmimeve më prestigjioze në fushën e letërsisë dhe përkthimit për këtë vit. Autorë, përkthyes dhe studiues të njohur u nderuan për kontributet e tyre në fushat përkatëse.

Çmimi për Autorin më të Mirë të Vitit iu dha Enkel Demit alias Tom Kuka për romanin e tij “I rënë nga qielli”, i botuar nga shtëpia botuese "Pegi".

Juria vlerësoi trajtimin me mjeshtëri stilistikore të një teme të mprehtë dhe shumëdimensionale, e cila trajton periudhën e tranzicionit shqiptar, por gjithashtu merr dimensione universale. “I rënë nga qielli” përqendrohet në përpjekjen e individëve për të bërë një jetë të kuptimshme në kushte të absurdit kolektiv.

“I rënë nga qielli” / Tom Kuka shpallet “Autori i

Milena Selimi, Përkthyesja e Vitit

Për Përkthimin më të Mirë, çmimi iu dha Milena Selimit për përkthimin e romanit “Kohëstrehim” të Georgi Gospodinov, fitues i çmimit International Booker Prize. Selimi u vlerësua për aftësinë e saj të jashtëzakonshme për të transmetuar në shqip thellësinë dhe emocionet e romanit të Gospodinov, duke ruajtur në çdo faqe kompleksitetin e tematikës dhe fuqinë narrativore të tekstit origjinal.

Në motivacionin e dhënë, juria theksoi se përkthimi i Selimit pikasi për “për zgjidhjen me pjekuri përkthimore, falë edhe bashkëpunimit me vetë autorin, e detyrave të vështira të sjelljes në shqipe të një romani i cili e zhyt lexuesin në mjedisin e një ‘klinike të së kaluarës’, ku ironia dhe trishtimi, na flet për një të ardhme të paqartë.”

“I rënë nga qielli” / Tom Kuka shpallet “Autori i

Viola Isufaj, Fiton Çmimin për Studimin më të Mirë

Çmimi për Studimin më të Mirë iu akordua Viola Isufajt për veprën “Baladë dritash për Zorbën”, një studim i thellë mbi figurën e shkrimtarit dhe intelektualit të njohur shqiptar, Zef Zorba. Juria e vlerësoi këtë punë për kontributin e saj të rëndësishëm në historiografinë letrare shqipe, duke zbuluar aspekte të reja të personalitetit të Zorbës dhe për të çuar më tej njohuritë për ndikimin e tij në letërsinë dhe kulturën shqiptare.

“I rënë nga qielli” / Tom Kuka shpallet “Autori i

Anastas Angjeli, Çmimi i Karrierës

Një çmim i veçantë i karrierës iu dhënë ekonomistit dhe studiuesit të njohur, Anastas Angjeli, për veprën e tij “Institucionet e Bretton ëoods dhe Shqipëria”. Juria vlerësoi kontributin e tij në studimet e ekonomisë dhe politikës shqiptare, duke e pozicionuar këtë punë si një hulumtim të thellë dhe gjithëpërfshirës mbi marrëdhëniet e Shqipërisë me institucionet ndërkombëtare.

“I rënë nga qielli” / Tom Kuka shpallet “Autori i

Lindita Gjetani 

Po ashtu, çmimi i Ambasadës Franceze për Përkthimin më të Mirë nga Gjuha Frënge shkoi për Lindita Gjetanin, për përkthimin e romanit “Mirë u pafshim atje lart” të autorit Pierre Lemaitre. Juria vlerësoi aftësinë e Gjetanit për të ruajtur me saktësi dhe elegancë atmosferën dhe intensitetin emocional të romanit, i cili përshkruan tmerrin dhe pasojat e Luftës së Parë Botërore. Përkthimi i Gjetanit u cilësua si një arritje e madhe, pasi ajo ka sjellë në shqip një nga romanet më të njohura të letërsisë frënge.

Shoqata e Botuesve të Shqipërisë ka shprehur urimet e saj për të gjithë fituesit e këtij viti dhe ka falënderuar Jurinë për punën e saj. Juria e Panairit të 27-të të Librit u përbë nga përkthyesi Ilir Baçi (kryetar), pedagogia Lili Sula, poetja Ledia Dushi, gazetarja e kulturës Anisa Ymeri dhe përkthyesi Ben Andoni.

Ky panair, si çdo vit, ka shërbyer si një ngjarje e rëndësishme kulturore për lexuesit shqiptarë dhe ka ofruar një mundësi të shkëlqyer për të njohur dhe promovuar autorët dhe veprat më të fundit të letërsisë shqipe dhe botërore.

Poll