
Pavel Durov, miliardari rus dhe themeluesi i aplikacionit të mesazheve Telegram, ka shkaktuar debat të gjerë ndërkombëtar me deklaratat e tij të fundit mbi riprodhimin dhe trashëgiminë biologjike. Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, Durov ka pohuar se është babai biologjik i 106 fëmijëve dhe se synon të zgjerojë më tej këtë numër përmes inseminimit artificial.
Durov, pasuria e të cilit vlerësohet rreth 15 miliardë dollarë, ka deklaruar se është i gatshëm të ofrojë mbështetje financiare për qindra gra që pranojnë të bëhen nëna të fëmijëve të tij biologjikë. Sipas tij, këto gra do të përfitojnë një pjesë të pasurisë së tij, ndërsa fëmijët do të kenë të drejta të barabarta trashëgimie.
Kjo nismë është krahasuar nga disa media me rastin e Elon Musk, miliardari amerikan i teknologjisë, i cili gjithashtu ka folur hapur për rënien e lindshmërisë globale dhe ka shumë fëmijë me partnere të ndryshme. Megjithatë, rasti i Durovit shkon më tej, pasi ai e paraqet idenë si një “mision” për të ndihmuar njerëzimin përballë krizës demografike.
Sipas raportimeve, Durov ka ftuar gra të reja dhe të shëndetshme të paraqiten në një klinikë në Moskë për procedura të inseminimit artificial. Kjo pjesë e deklaratave të tij ka ngjallur reagime të forta, sidomos nga organizata që mbrojnë të drejtat e grave, të cilat e shohin këtë nismë si problematike dhe potencialisht shfrytëzuese./VERSUS

