Juventusi, sipas mediave italiane, ka vendosur t'i tregojë derën e daljes Thiago Motta-s javën e ardhshme dhe të mos presë fundin e sezonit, duke shpresuar që me ndryshimin e drejtimit teknik skuadra të rikuperohet dhe të arrijë të marrë një biletë për Champions League sezonin e ardhshëm.
Roberto Mancini konsiderohet favorit për të zëvendësuar Motta-n. Gazeta lokale sportive torineze “Tuttosport” pohon se drejtuesit e “Juves” kanë kontaktuar tashmë me të, pasi ai u shkarkua nga kryesia teknike e kombëtares së Arabisë Saudite tetorin e kaluar.
Në raportimin e mediave përkatës thuhet se ndeshja e ligës në shtëpi kundër Genoas do të jetë e fundit për Motta-n në stolin e Bianconerëve. Mancini ka pranuar ofertën për kontratë deri në fund të sezonit, por ka parashikuar që bashkëpunimi mes dy palëve të rinovohet automatikisht nëse arrin të fusë “Juven” në Ligën e re të Kampionëve.







