
Kombëtarja e Kosovës barazoi mbrëmjen e djeshme përballë Zvicrës në shtëpi me rezultatin 1-1 në ndeshjen e fundit të kualifikueseve për Kupën e Botës 2026.
Gjatë kësaj ndeshje, ylli shqiptar i Zvicrës, Granit Xhaka ishte në qendër të vërshëllimave sa herë që prekte topin. Pas përfundimit të ndeshjes, Xhaka tha se ishte i befasuar nga kjo situatë dhe se nuk e kishte pritur aspak.
“Jam i befasuar që jam fishkëllyer. Dhemb, por më duhet ta pranoj atë. Mundohem të koncentrohem vetëm në futboll. Për fat të keq është pjesë e lojës. Gjithnjë kam pasur përkrahjen e tifozëve të Zvicrës, pavarësisht nëse kemi luajtur në shtëpi apo në udhëtim”.
“Të gjithë që ishin këtu mund të jenë krenarë. Nuk është diçka që mund ta marrësh të sigurt. Jemi kualifikuar për ngjarje të mëdha për herë të tetë radhazi. Ishte e rëndësishme për ne që kosovarët nuk e morën me vete euforinë”- u shpreh Xhaka mes të tjerash. Versus.al
