Federata e Futbollit të Kosovës ka reaguar për skandalin e mbrëmjes së djeshme gjatë ndeshjes së zhvilluar në Rumani ku gjithë kohës, lojtarët u përballën me fyerje dhe kore raciste dhe vendosën që të braktisnin fushën e lojës në minutën e 90-të.
Në reagimin e bërë, FFK thotë se përkundër paralajmërimeve të lojtarëve se do të linin fushën e lojës, tifozët rumunë vijuan me sjellen e tyre të papërgjegjshme dhe diskriminuese ndaj dinjitetit të lojtarëve.
“Ndeshja, që deri në momentin e ndërprerjes kishte një performancë të shkëlqyer nga Kombëtarja e Kosovës dhe një rezultat 0:0, u përshkallëzua edhe më tej për shkak të refuzimit të tifozëve për të ndalur thirrjet e tyre raciste dhe provokuese
Pavarësisht përpjekjeve të trajnerit tonë, z. Foda, për të arritur që ndeshja të luhet dhe të eliminohen veprimet e tilla nga tifozët rumunë, prapëseprapë edhe gjatë ndërprerjes sjelljet raciste vazhduan. Në një situatë të tillë lojtarët zgjodhën me të drejtë të respektojnë rregulloret kundër racizmit të UEFA-s dhe të mbrojnë dinjitetin e shtetit të Kosovës, si një anëtar i barabartë i UEFA-s dhe FIFA-s”.
“Për më tepër, pas ndeshjes, një zyrtar rumun ndërhyri në konferencën për shtyp të Kombëtares së Kosovës, duke larguar gazetarët dhe më pas, në një veprim të papranueshëm, kërcënoi dhe sulmoi një lojtar të Kosovës në korridoret e stadiumit. Kjo sjellje e turpshme dhe e papranueshme çoi në reagimin e menjëhershëm të përfaqësuesve të FFK-së”, thuhet në reagimin e FFK-së.
Për të gjitha këto shkelje të rënda, FFK ka njoftuar se ka raportuar menjëherë incidentet tek delegati i ndeshjes dhe ka nisur përgatitjen e një ankese të plotë me fakte dhe prova që do t’i dorëzohen organeve disiplinore të UEFA-s.
“Ne besojmë se UEFA do të veprojë në përputhje me vlerat e saj themelore për të dënuar ashpër gjuhën raciste dhe veprimet e tjera të papranueshme që ndodhën gjatë kësaj ndeshjeje”.
“FFK riafirmon angazhimin e saj për të mbrojtur dinjitetin e Kombëtares së Kosovës dhe vlerat e futbollit, por edhe parimet e UEFA-s e FIFA-s për futboll pa politikë dhe respektim të ‘fair-play’-it, si një lojë që duhet të bashkojë dhe jo të ndajë. Racizmi dhe diskriminimi nuk kanë vend në sport dhe as në shoqërinë tonë”, theksohet më tej në reagim.
Ndërkohë një tjetër incident u shënua mbrëmjen e djeshme në ndeshjen Zvicër-Serbi që u mbyll me rezultatin 1-1. Disa huliganë serbë tentuan të digjnin flamurin kuqezi por hasën në reagimin e tifozëve shqiptarë të cilët nuk e lejuan një gjë të tillë dhe u përplasën fizikisht. Versus.al








