Trajneri i Kombëtares Shqiptare, braziliani Sylvinho Mendes ka dalë në një konferencë për mediat pas publikimit të listës me 24 lojtarët e ftuar në prag të dy ndeshjeve me Çekinë dhe Gjeorgjinë me 11 dhe 16 tetor.
Në aspektin teknik, Sylvinho i cilësoi të dyja si ndeshje të vështira për kombëtaren.
“Çekia është ekip i fortë, luan në ajër me 4-5 lojtarë. Do jenë ndeshje të vështira të dyja”.
Trajneri u pyet edhe për kampionatin e botës U-21 që do të zhvillohet në 2027-ën në bashkëpunim të Shqipërisë dhe Serbisë. Sylvinho tha se i intereson vetëm aspekti sportiv, duke e cilësuar pozitiv faktin që lojtarë të rinj të kombëtares marrin pjesë në kompeticione të tilla.
“Kam dëgjuar rreth këtij lajmi. Mua si trajner më intereson pjesa sportive, ne kemi marrë shumë lojtarë nga U-21. Se ku realizohet nuk mendoj se i takon një trajneri ta thotë por jam i lumtur që ekipi i U-21 të marrë pjesë në kompeticione të tilla”- u shpreh braziliani.
Për mungesën e Brojës në listën e kombëtares, Sylvinho bëri me dije se sulmuesi shtatlartë ende nuk është shëruar nga lëndimi i tij dhe pritet që gjendja të jetë e njëjtë edhe për 5 javë të tjera.
“Lojtari ka nevojë edhe për 5 javë të tjera për të rikuperuar. Ai nuk është në gjendje të luajë me ekipin e tij kështu që nuk ka sesi të jetë i disponueshëm për ne. Shpresoj të rikthehet sa më shpejt”- shtoi ai.
Ai foli edhe për mungesën e Rei Manajt në listë duke treguar se lojtari është i dëmtuar. Ndërsa për rikthimin e Ernest Muçit, tha se duhet t’i jepen mundësi në mënyrë që të ketë vazhdimësi në lojën e tij dhe evolucionin si lojtar.
“Që unë të marr 2 ose 3 lojtarë, duhet të lë dikë jashtë. Në këtë rast kemi Muçin që është lojtar i rëndësishëm, i ri. Kur 1 lojtar bën ndryshim të klubit, ka nevojë për kohë për t’u përshtatur. Unë zgjedh fjalën durim, ai po bën mirë dhe mund të ketë mundësi dhe minuta. Nga 24 lojtarë, secili mund të ketë mundësi për të luajtur. Qoftë 10 minuta apo 90, dhe stërvitja mund të ndryshojë jetën. Lojtarët do luajnë dhe do bëjmë rivlerësimet. Ju jeni të lumtur me Muçin dhe unë me të, shpresoj të ketë vazhdimësi”- theksoi Sylvinho. Versus.al








