
Historia e tij ka bërë xhiron e botës. Sepse, ndërsa PSG-ja fitonte – madje dominonte – Ligën e Kampionëve kundër Interit, në pankinë Rafael Pol, 38 vjeç, asistenti gjithmonë besnik i Luis Enrique-s, qante me ngashërim. Për suksesin në Champions, sigurisht, por mbi të gjitha për atë që mbante në zemër. Në nëntorin e kaluar, Rafa humbi gruan e tij, Raquel, për shkak të një sëmundjeje.
Bashkëmoshatarja e tij, shoqe prej disa vitesh, mike, me të cilën ndante dashurinë për sportin dhe për kafshët. Ai e kujtoi atë me një postim shumë të ndjerë në rrjetet sociale, dhe mijëra miq e të njohur, përfshirë edhe shumë futbollistë, i lanë një mesazh ngushëllimi.
Lotët e Pol, natyrisht, me një skenë kaq të madhe si finalja e Ligës së Kampionëve, u shpërndanë menjëherë në të gjitha rrjetet sociale. Historia e tij u bë e njohur.
Ajo që dihet më pak është pse Luis Enrique është kaq i lidhur me këtë djalë që punon me të prej 15 vitesh. Rafa Pol nuk e ka tradhtuar kurrë, as atëherë kur Luis Enrique u detyrua të tërhiqej për një kohë nga futbolli për t’u kujdesur për vajzën e tij të vogël, Xana, para se ajo të ndërronte jetë.
Gjatë asaj periudhe, Rafa vazhdoi të punonte, por gjithmonë qëndroi pranë trajnerit spanjoll. Dhe këtë, trajneri që sapo ka fituar titullin kampion i Europës, nuk e ka harruar kurrë. Ja pse thashethemet që dolën pasi Pol nuk u shfaq në dokumentarin për Luis Enrique u dukën të pavenda.
Revista ¡Hola! e sqaroi: 'Ekzistonte një arsye e ngutshme – gjatë xhirimeve, ai ishte tërësisht i përqendruar në kujdesin për gruan e tij, me të cilën ishte martuar në korrik të vitit 2021, në një ceremoni romantike që u zhvillua në një vend magjik: shpellat e Campanet-it, të vendosura në vargmalin Tramuntana, në veri të ishullit të Majorkës.'
Luis Enrique e zgjodhi Rafel Pol si përgatitës atletik në verën e vitit 2011: ai ishte vetëm 24 vjeç, pa asnjë përvojë, dhe trajneri e zgjodhi për shkak të eseve të tij mbi përgatitjen fizike, që sipas tij duhej të ishte e ngjashme me atë të astronautëve. Kanë kaluar pothuajse 15 vjet dhe lidhja mes tyre është më e fortë se kurrë.
Luis Enrique, lotët dhe tradhtia e zëvendësit Moreno
Kur Luis Enrique u largua përkohësisht nga kombëtarja e Spanjës për t’u përkushtuar ndaj vajzës së tij Xana, presidenti i Federatës vendosi t’i besonte pankinën ndihmësit të tij, fillimisht si përkohësisht, e më pas me një kontratë zyrtare që zgjaste deri në përfundim të Kampionatit Evropian, fillimisht i planifikuar për vitin 2020.
Por në dhjetor të vitit 2019, kur presidenti Rubiales i komunikoi Morenos synimin për t’ia kthyer pankinën Luis Enriques, diçka shkoi keq.
Moreno thotë se kishte deklaruar menjëherë se ishte gati të tërhiqej, ndërsa sipas presidentit, ai kishte kërkuar që të mbetej trajner kryesor deri në përfundim të Europianit dhe vetëm më pas të rikthehej si ndihmës i Luis Enrique-s.
Ky veprim mjaftoi për ta përjashtuar nga stafi teknik dhe për të nxitur deklaratën e ashpër të Luis Enrique-s:
"Në grupin tim nuk ka vend për ata që kanë ambicie të pakontrollueshme."
Si përfundoi?
Sot, Robert Moreno është trajner në kategorinë e dytë ruse (dhe nuk dihet nëse do të arrijë të ngjitet në elitë), ndërsa miqtë e dikurshëm, Luis Enrique dhe Rafa Pol, janë bërë kampionë të Europës./Versus.al







