
Kombëtarja shqiptare u mund mbrëmjen e djeshme nga Spanja me rezultatin minimal 1-0 duke i dhënë fund rrugëtimit në “Euro 2024”.
Trajneri i kombëtares, Sylvinho vlerësoi paraqitjet e kombëtares në të tre ndeshjet përballë Italisë, Kroacisë dhe Spanjës dhe tha se skuadra del me kokën lart nga një grup ku u përball me kampionë Europe dhe bote.
“Sigurisht që dalim me kokën lart. Ishim në grupin e vdekjes, në një grup me kampionë Europe dhe Bote. Jam i trishtuar për rezultatin, por kemi bërë mirë në të tri ndeshjet. Kemi luftuar gjithmonë deri në fund.
Kemi arritur në një pikë të rëndësishme në këtë Europian. Të gjithë 6-7 lojtarë të rinj në fushë. Por edhe lojtarët e tjerë me eksperiencë kanë bërë mjaft mirë. Të gjithë prisnin të humbnim nga 3-0 apo 4-0, por kemi qenë gjithmonë aty në të tri ndeshjet duke luftuar”- tha trajneri.
Ai tha se tashmë e gjithë vëmendja do të jetë e përqendruar në kompeticionin “Nations League” dhe më pas tek eleminatoret e Kupës së Botës.
“E ardhmja? Është Nations League dhe më pas eliminatoret e Kupës së Botës. Falënderoj Federatën, gjithë stafin dhe gjithë njerëzit me të cilët kemi punuar. Kemi bërë gjëra të mirë, kemi treguar rritje. Është e rëndësishme të vazhdojmë të luajmë dhe të provojmë sërish emocionet e Europianit dhe Botërorit”- u shpreh strategu brazilian.
Nga ana tjetër, edhe Kroacia u skualifikua mbrëmjen e djeshme pas një goli të Italisë në minutën e 98-të që barazoi rezultatin në 1-1. Kroatët duket se po shkonin drejt fundit të ndeshjes dhe do të siguronin kualifikimin për në fazën e 1/16 por një gjë e tillë nuk ndodhi. Versus.al








