Moderatorja e njohur Bora Zemani është e ftuara e radhës në podcast-in e Grida Dumës, ku promoja e publikuar premton një rrëfim të sinqertë e pa filtra.
Për herë të parë pas shumë kohësh, Bora prek temën delikate të faljes në çift, duke iu referuar në mënyrë të tërthortë ribashkimit me Donald Veshajn pas tradhtisë së tij në “Big Brother VIP”.
Në videon promovuese, Grida e pyet drejtpërdrejt: “Në çfarë niveli fal ti?”. Bora përgjigjet me pjekuri: “Natyrisht nuk fal me naivitet, nuk fal se po gënjehem. Fal me ndërgjegje të plotë, e di ku është gabuar, por unë do e fal, do e tejkaloj këtë gjë”.
Ajo shton se falja nuk nënkupton braktisje të parimeve, por një mundësi për shpëtim: “Nuk e bëj duke zgjeruar kufijtë, jo, kufijtë ngelen të njëjtat… Nëse ka mundësi të shkatërrohet një marrëdhënie dhe të prishet, a kishte ndonjë mundësi për t’u shpëtuar kjo marrëdhënie?”
Kujtojmë se gjatë pjesëmarrjes në “Big Brother VIP 1”, Donaldi nisi një romancë brenda shtëpisë me këngëtaren Beatrix Ramosaj, duke krijuar një nga trekëndëshat më të komentuar në historinë e televizionit shqiptar.
Ajo romancë përfundoi menjëherë pas daljes së Donaldit nga formati.
Aktori kërkoi rikthimin me Borën, një proces që kërkoi kohë dhe, siç e pranon vetë Bora, një “falje me vetëdije të plotë” për të shpëtuar atë që kishin ndërtuar ndër vite.

