MAGAZINË /

Mesfushori kuqezi tërhiqet nga Kombëtarja: Plotësova ëndrrën, tani u hap rrugën të rinjve

Klaus Gjasula, 34 vjeç ka luajtur prej 5 vitesh 29 ndeshje me kombëtaren pas debutimit të tij në shtator të 2019

Shkruar nga M.H
Mesfushori kuqezi tërhiqet nga Kombëtarja: Plotësova
Klaus Gjasula

Pas Cikalleshit, një tjetër largim ka ardhur nga kombëtarja shqiptare me mesfushorin, Klaus Gjasula.

FSHF bëri me dije tërheqjen e futollistit pas EURO 2024 ku nuk la pa bërë edhe falenderimet për kontributin që ai ka dhënë në fushë dhe jashtë saj.

Klaus Gjasula, 34 vjeç ka luajtur prej 5 vitesh 29 ndeshje me kombëtaren pas debutimit të tij në shtator të 2019.

Në një postim në rrjete sociale ku njoftoi edhe largimin e tij ai u shpreh se tashmë është koha për tu hapur rrugën të rinjve të realizojnë ëndrrat e tyre.

Gjasula shkroi gjithashtu se do të jetë në mbështetje të kombëtares, tashmë si një tifoz i zjarrtë.

34-vjeçari e përshkruan rrugëtimin e tij me kombëtaren si më të veçantin e jetës së tij.

“E kisha ëndërruar gjithmonë të luaja me Kombëtaren dhe e realizova. Isha në një Europian, shënova një gol dhe u ndjeva njeriu më i lumtur. Nëse kthej kokën pas, kam plot momente të bukura me fanellën kuqezi, që nga grumbullimi i parë, te ndeshja debutuese ndaj Francës në “Stade de France” dhe tek ajo e fundit ndaj Kroacisë në Europian. Edhe kur e mendoj tani ende dridhem nga emocionet.

Gjithsesi, me ftohtësi kam gjykuar dhe kam marrë vendimin për t’u tërhequr nga Kombëtarja. Është vendimi i duhur për t’u hapur rrugën të rinjve, që Kombëtarja jonë fatmirësisht ka shumë. Unë e realizova ëndrrën time dhe tani është koha për të tjerë që ta plotësojnë dhe ta jetojnë atë ëndërr.

Pas pesë vitesh do të kem mundësinë të vij në stadium dhe ta mbështes Kombëtaren tonë si tifoz. I jam falënderues Zotit, familjes time dhe të gjithë njerëzve që më kanë qëndruar pranë në çdo moment dhe kanë besuar tek unë.

Në veçanti dua të falënderoj edhe Federatën Shqiptare të Futbollit, Presidentin Armand Duka, trajnerët më të cilët kam punuar, Edoardo Reja dhe Sylvio Mendes Campos Junior, stafin teknik të Kombëtares dhe të gjithë bashkëlojtarët që ndamë këtë rrugëtim, që për mua është më i veçanti.

Sukseset e arritura nuk do të ishin të mundura pa tifozët më të mirë në botë, ata të cilët na kanë mbështetur gjithmonë, si në humbje, fitore apo barazim. Faleminderit nga zemra të gjithë tifozëve kuqezi. Për mua ishte nder dhe krenari të vishja fanellën e Kombëtares!” – shkruan Klaus Gjasula.

Aktualisht Gjasula është pjesë e Ingolstadt në Bundesligën e dytë gjermane.

/ Versus.al

Poll
Më poshtë do të gjeni dhe kandidatët e Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike për të gjitha qarqet: