
Entuziazmi për Kupën e Botës 2026 rrezikon të zbehet nga një realitet i hidhur për tifozët: kostot e udhëtimit po rriten ndjeshëm, duke e bërë përvojën shumë më të shtrenjtë sesa ishte parashikuar.
Një nga shembujt më të debatueshëm vjen nga zona e Nju Jorkut, ku tifozët që udhëtojnë nga stacioni Penn në Manhattan drejt MetLife Stadium do të duhet të paguajnë deri në 150 dollarë për një biletë vajtje-ardhje. Për një distancë prej vetëm 14 kilometrash dhe një udhëtim rreth 15-minutësh, ky çmim është gati 12 herë më i lartë se tarifa normale prej 12.90 dollarësh.
Autoritetet në Nju Xhersi parashikojnë që rreth 40,000 tifozë për çdo ndeshje do të mbështeten tek transporti publik, pasi parkimi pranë stadiumit do të jetë shumë i kufizuar. NewJork Transit ka bërë të ditur se planifikon të shpenzojë rreth 62 milionë dollarë për operimin gjatë turneut, ndërsa vetëm një pjesë e vogël mbulohet nga grantet.
Drejtuesi i organizatës, Chris Colluri, ka mbrojtur vendimin për rritjen e çmimeve, duke theksuar se bëhet fjalë për mbulimin e kostove dhe jo për përfitim. Megjithatë, reagimet politike nuk kanë munguar. Guvernatorja e New York, Kathy Hochul, e cilësoi tarifën “të tepruar”, ndërsa nga New Jersey është kërkuar që FIFA të mbulojë kostot për tifozët.
Ndërkohë, situata nuk është më e lehtë as në qytete të tjera pritëse. Në Boston, biletat e autobusëve drejt Gillette Stadium arrijnë deri në 95 dollarë, ndërsa trenat vajtje-ardhje shiten për rreth 80 dollarë—katërfish i çmimit të zakonshëm.
Në kontrast, disa qytete kanë vendosur të mbajnë çmime më të përballueshme. Në Los Angeles, një biletë metroje kushton vetëm 1.75 dollarë, ndërsa tarifa të ulëta raportohen edhe në Atlanta, Houston dhe Philadelphia.
Pavarësisht debateve, FIFA ka kundërshtuar idenë për të mbuluar kostot e transportit, duke theksuar se marrëveshjet me qytetet pritëse nuk parashikojnë një detyrim të tillë.
Në prag të turneut më të madh të futbollit në botë, një gjë është e qartë: për shumë tifozë, rruga drejt stadiumit mund të rezultojë po aq e kushtueshme sa vetë bileta e ndeshjes.

