MAGAZINË /

“Një ide budallaqe që mund t’u merrte jetën”: 4 adoleshentë shpëtohen në gropat e çimentos

Të miturit mbetën të bllokuar në një gurore, dy prej tyre përfunduan në spital me hipotermi të lehtë

Shkruar nga Versus

“Një ide budallaqe që mund t’u merrte jetën”: 4

Një ngjarje e rrezikshme, që për pak sa nuk përfundoi në tragjedi, ka ndodhur në Belgjikë, ku katër adoleshentë 13-vjeçarë u shpëtuan nga zjarrfikësit pasi u bllokuan në baltë çimentoje brenda një guroreje gëlqerore.

Ngjarja ndodhi më 17 dhjetor në zonën Olne, rreth 15 kilometra larg qytetit të Lièges. Katër shokët kishin hyrë ilegalisht në gurore dhe, brenda saj, kishin hasur një zonë me baltë ku vendosën të hidheshin për t’u argëtuar.

Por ajo që dukej si një lojë e pafajshme rezultoi të ishte baltë çimentoje, jashtëzakonisht e rrezikshme. Sapo hynë brenda, adoleshentët u bllokuan plotësisht dhe nuk arritën më të dilnin.

Alarmi u dha pas disa orësh. Zjarrfikësit, pasi mbërritën në vendngjarje, u përballën me vështirësi të mëdha për nxjerrjen e fëmijëve, të cilët ishin të ngujuar plotësisht nga balta.

“U desh të tërhiqeshin fëmijët, secili nga katër zjarrfikës, me ndihmën e rripave dhe, në disa raste, edhe me lopata, sepse balta i mbante të bllokuar”, thanë zjarrfikësit e Lièges për mediat belge.

Dy nga katër adoleshentët u dërguan në spital për shkak të hipotermisë së lehtë, ndërsa fatmirësisht gjendja e tyre shëndetësore është e stabilizuar dhe jashtë rrezikut për jetën.

Nëna e njërit prej fëmijëve e cilësoi ngjarjen si pasojë e papërgjegjshmërisë rinore.

“Ata thjesht ishin të pavetëdijshëm dhe patën një ide budallaqe. Adrenalina dhe dëshira për t’u argëtuar duke kërcyer në baltë, pa e imagjinuar se kjo mund t’u kushtonte jetën. Fëmijët tanë janë mirë dhe kjo është gjëja më e rëndësishme”, u shpreh ajo. /VERSUS 

Poll