
Norvegjia është praktikisht e kualifikuar në Kampionatin Botëror 2026, pasi mposhti Estoninë me rezultatin 4-1 në “Ullevaal Stadion”, duke shënuar fitoren e 10-të në 11 ndeshjet e fundit.
Kjo fitore i siguron Norvegjisë pjesëmarrjen e parë në një Botëror që nga viti 1998.
Pas një pjese të parë të zbehtë, ku të dyja skuadrat patën vetëm nga një gjuajtje në portë, norvegjezët shpërthyen në pjesën e dytë. Alexander Sørloth zhbllokoi sfidën me një gol me kokë në minutën e 50-të, dhe vetëm dy minuta më vonë shënoi sërish për 2-0.
Festa vazhdoi kur Erling Haaland realizoi edhe dy gola të tjerë, fillimisht me kokë, pastaj me një ‘voley’ të fuqishme, duke e çuar në 14 numrin e tij personal të golave në fazën kualifikuese.
Estonia arriti të shënonte golin e nderit me Robi Saarma, që realizoi për herë të parë me fanellën kombëtare.
Trajneri Stale Solbakken, ndonëse nën presion nga polemikat jashtë fushe rreth Andreas Schjelderup, pa ekipin e tij të tregonte karakter dhe efikasitet në momentin vendimtar.
Norvegjia tashmë pret vetëm konfirmimin matematikor të kualifikimit, që mund të vijë edhe pa luajtur ende ndeshjen e fundit, nëse Italia nuk fiton ndaj Moldavisë. Ndërkohë, Estonia e mbyll fushatën me vetëm një fitore dhe katër pikë në tetë ndeshje.
