Çfarë do të gjeni në brendësi
*Qindra qytetarë protestuan sot në Zvërnec kundër rrethmit të zonës së mbrojtur ku është planifikuar më pas ndërtimi i një resorti luksoz. *Gjatë protestës, përveç policisë u vunë re edhe dhjetëra persona civilë të maskuar të cilët ushtruan dhunë dhe terror ndaj protestuesve. Gjatë nisjes së protestës, ata tërhoqën zvarrë njërin prej qytetarëve që pretendonte se i kishin rrethuar pronën që ia kishin lënë trashëgimi të parët. *Ndërsa gjatë përplasjes me banorët dhe qytetarët e tjerë të ardhur në ndihmë të tyre, personat e maskuar nuk kursyen as efektivët e policisë duke i spërkatur edhe ata me gaz lotsjellës. *Policia e Vlorës: përplasje me protestuesit në “Portonovë”, dëmtime trupore dhe kallëzim penal ndaj punonjësve të sigurisë private *Në reagim, Policia e Shtetit kërkon ndjesë publike për një pasaktësi në komunikimin e mëparshëm të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, ku një qytetar ishte raportuar se ishte futur me forcë brenda rrethimit të kantierit ndërtimor, gjë që sipas verifikimeve të mëvonshme nuk rezulton e vërtetë. Në këto rrethana, dhe pavarësisht se pjesa tjetër e komunikatës së policisë vendore vlerësohet si korrekte, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka vendosur pezullimin e menjëhershëm nga detyra të Drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë.
BIRN / “Në spital pështynte gjak”: Përplasje në Zvërnec gjatë protestës kundër resortit në zonë të mbrojtur

Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë një protestues duke u tërhequr zvarrë nga punonjësit e sigurisë private, ndërsa Policia e Shtetit, e cila ishte e pranishme në vendngjarje, e përshkroi incidentin si një “shoqërim” të tij.
Banorët e zonës, aktivistë mjedisorë dhe përfaqësues politikë kishin paralajmëruar prej ditësh protestën kundër rrethimit të territorit dhe planeve për zhvillim në zonën e mbrojtur të Pishë Poro-Nartës. Sipas dëshmitarëve, tensionet nisën pasi një protestues tentoi të kalonte gardhin që rrethon kantierin.
Video të filmuara nga pjesëmarrësit tregojnë se protestuesi u ndalua me forcë nga punonjësit e sigurisë private, të cilët më pas e tërhoqën brenda rrethimit. Pamjet sugjerojnë gjithashtu se ai u godit pasi u fut në zonën e rrethuar. Pas incidentit, situata u përshkallëzua dhe protestuesit e punonjësit e sigurisë shkëmbyen gurë, ndërsa në disa raste u përdor edhe spraj lotsjellës.
Redi Muçi, deputet i Lëvizjes Bashkë dhe pjesëmarrës në protestë, tha se protestuesi ishte goditur nga punonjësit e sigurisë private teksa përpiqej të kapërcente gardhin.
“Një prej protestuesve tentoi të kapërcente gardhin në një pjesë që ishte më e ulët, u godit nga këta të policisë private dhe duket se humbi ndjenjat. Pas kësaj ata e tërhoqën zvarrë dhe në këtë moment filluan të qëllojnë me gurë,” tha Muçi.
Sipas tij, u desh ndërhyrja e një drejtuesi të Policisë së Shtetit që i riu të lirohej nga zona e rrethuar.
Versione të ngjashme dhanë edhe protestues të tjerë. Kryeplaku i Zvërnecit, Kostaq Konomi, pretendoi se protestuesi u godit para se të humbiste ndjenjat.
“E qëlluan në fyt dhe humbi ndjenjat. Në spital pështynte gjak,” tha Konomi.
“Ishte frikësuese, kishin ardhur gjithë ata furgonë policie, mund të ishin 50-60 veta nga policia private, sikur të ishte luftë botërore,” tha protestuesja Minella Balliu.
Arlind Qori, kryetar i Lëvizjes Bashkë, po ashtu i pranishëm në protestë, tha në një video të postuar në Facebook se punonjësit e policisë private silleshin si “gangsterë të veshur me të zeza” dhe akuzoi Policinë e Shtetit për tolerimin e tyre.
Në një deklaratë zyrtare të publikuar pas protestës, Policia e Shtetit tha se një grup protestuesish kishin ndërmarrë veprime të dhunshme për të dëmtuar rrethimin e kantierit.
“Gjatë tubimit, situata është përshkallëzuar dhe një grup protestuesish kanë kryer veprime të dhunshme me qëllim prishjen e rrethimit të kantierit të kompanisë,” thuhet në deklaratë.
Policia identifikoi protestuesin si E.S. dhe tha se ai kishte hyrë me forcë në zonën e rrethuar. Ajo e përshkroi marrjen e tij nga punonjësit e sigurisë private si një “shoqërim në ambientin e përcaktuar për rojet”, duke pranuar se gjatë këtij veprimi ai kishte pësuar dëmtime trupore. Policia njoftoi se kishte proceduar penalisht dy punonjës të sigurisë private dhe 15 protestues.
Kompania “Zvërnec South Adriatic Development”, e cila ka marrë leje zhvillimi për projektin turistik në zonë, nuk adresoi drejtpërdrejt akuzat për dhunë në reagimin e saj publik. Në deklaratë, kompania dënoi aktet kundër pronës private dhe akuzoi kritikët për përhapje të informacionit të pasaktë.
“Dënojmë me forcë çdo akt dhune ndaj pronës private dhe hedhim poshtë çdo përpjekje që synon dezinformimin e publikut,” thuhet në reagimin e kompanisë.
Pavarësisht interesimit të BIRN, autoritetet nuk bënë publik emrin e kompanisë private të sigurisë që operonte në terren.
I kontaktuar në telefon, Alket Braho, këshilltar i Ministrit të Brendshëm, Besfort Lamallari, ia kaloi përgjegjësinë Policisë së Shtetit.
“Duhet të flasë policia,” tha ai.
Ministri Besfort Lamallari nuk qe i arritshëm për koment.
Protesta e së shtunës është episodi më i fundit në një konflikt të zgjatur mbi pronësinë dhe zhvillimin e zonës së mbrojtur të Pishë Poro-Nartës. Sipas të dhënave të publikuara më herët nga BIRN, gardhi me tela me gjemba rrethon rreth 2.6 milionë metra katrorë, përfshirë edhe pasuri publike të mbrojtura si monumente natyrore. Projekti zhvillohet nga kompania “Zvërnec South Adriatic Development”, e cila ka marrë leje zhvillimi nga autoritetet shtetërore, ndërsa një pjesë e pronave në zonë mbeten objekt konfliktesh gjyqësore.
Duke iu drejtuar protestuesve, deputeti Muçi e krahasoi situatën në Zvërnec me konfliktet e tjera mbi tokën në zonat turistike të vendit dhe akuzoi qeverinë për favorizim të interesave private në kurriz të komuniteteve lokale. Në një fjalim para protestuesve, ai e cilësoi kryeministrin Edi Rama si pushtues.
“Është ai që e ka uzurpuar Shqipërinë, duke e shpallur veten kryetar të KKTU-së,” tha Muçi.
“Është ai mbreti i tokës dhe i ujit,” përfundoi ai. /BIRN
VIDEO - Pamjet detyrojnë policinë të tërhiqet, pezullohet nga detyra drejtori i Policisë Vlore

Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka reaguar zyrtarisht lidhur me ngjarjen e ndodhur në zonën e Zvërnecit, ku një protestë e banorëve kundër një projekti ndërtimor në “Portonovë” u shoqërua me tensione dhe ndërhyrje të forcave të rendit.
Në reagim, Policia e Shtetit kërkon ndjesë publike për një pasaktësi në komunikimin e mëparshëm të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, ku një qytetar ishte raportuar se ishte futur me forcë brenda rrethimit të kantierit ndërtimor, gjë që sipas verifikimeve të mëvonshme nuk rezulton e vërtetë.
Në këto rrethana, dhe pavarësisht se pjesa tjetër e komunikatës së policisë vendore vlerësohet si korrekte, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka vendosur pezullimin e menjëhershëm nga detyra të Drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë. Sipas institucionit, besimi i publikut ndaj Policisë së Shtetit mbetet një vlerë thelbësore dhe çdo cenim i tij trajtohet me përgjegjësi të plotë.
Ndërkohë, lidhur me zhvillimet në terren dhe pretendimet e ngritura nga protestuesit, Policia e Shtetit sqaron se territori ku është zhvilluar protesta rezulton pronë private me dokumentacion të rregullt hipotekor dhe me autorizimet përkatëse ligjore për rrethimin dhe zhvillimin e projektit.
Në deklaratë theksohet gjithashtu se çdo pretendim mbi pronësinë apo mënyrën e zhvillimit të saj duhet të adresohet përmes rrugëve ligjore dhe gjyqësore, ndërsa Policia e Shtetit ka detyrimin të garantojë mbrojtjen e pronës private dhe rendin publik.
Sipas pamjeve dhe zhvillimeve në terren, pas përshkallëzimit të situatës, forcat e rendit janë tërhequr gradualisht nga zona, duke u fokusuar në shmangien e përplasjes së mëtejshme dhe në uljen e tensioneve mes palëve.
Përplasjet në Zvërnec gjatë protestës kundër projektit ndërtimor – 17 të proceduar penalisht

Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë ka reaguar zyrtarisht lidhur me ngjarjen e ndodhur më 30.05.2026 në zonën e “Portonovës”, në fshatin Zvërnec, ku banorë të zonës zhvilluan një tubim në kundërshtim të një projekti ndërtimor të një kompanie private.
Sipas njoftimit të policisë, forcat e rendit kanë ndërhyrë për të garantuar sigurinë publike dhe për të parandaluar përshkallëzimin e situatës, pas njoftimit të marrë për zhvillimin e protestës.
Gjatë tubimit, situata është tensionuar, ku një grup protestuesish kanë kryer veprime të dhunshme dhe kanë tentuar të prishin rrethimin e kantierit ndërtimor. Në këto rrethana, një prej protestuesve, shtetasi E. S., ka hyrë me forcë brenda perimetrit të kantierit dhe është shoqëruar nga punonjësit e një shoqërie private të sigurisë në ambientin e tyre të punës.
Gjatë shoqërimit, shtetasit E. S. i janë shkaktuar dëmtime trupore, ndërsa më pas shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë duke e nxjerrë atë nga ambientet ku mbahej dhe e kanë shoqëruar në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë. Aty, ai ka bërë kallëzim ndaj dy punonjësve të sigurisë private.
Në vijim të veprimeve procedurale, policia ka proceduar penalisht dy punonjës të shoqërisë private të sigurisë, shtetasit G. V., 41 vjeç, dhe A. G., 35 vjeç, të dy banues në Tiranë.
Gjithashtu, janë proceduar penalisht edhe 15 shtetas të tjerë pjesëmarrës në tubim, të cilët dyshohet se kanë kryer veprime të dhunshme gjatë protestës dhe kanë tentuar të dëmtojnë rrethimin e kantierit ndërtimor.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Shkatërrimi i pronës” dhe “Plagosja e lehtë me dashje”.
Protesta në Zvërnec, reagon kompania e resortit: Projekti në pronë private, do të sjellë mbi 10 mijë vende pune

Pas protestës në Zvërnec, kompania e resortit reagon: Projekti është në pronë private dhe do të sjellë mbi 10 mijë vende pune
“Zvërnec South Adriatic Development” deklaron se investimi prej mbi 4 miliardë eurosh do të respektojë standardet më të larta mjedisore dhe ligjore, ndërsa dënon aktet e dhunës ndaj pronës private.
Pas protestës së zhvilluar të shtunën në Zvërnec, ku qytetarë, aktivistë dhe ambientalistë kundërshtuan projektin e një resorti turistik në zonë, ka reaguar kompania investitore “Zvërnec South Adriatic Development”.
Në një deklaratë zyrtare, kompania thekson se territori ku parashikohet të ndërtohet projekti është pronë private e blerë nga pronarë të ligjshëm dhe se të gjitha procedurat janë kryer në përputhje me legjislacionin shqiptar.
Sipas kompanisë, investimi, i cili pritet të kapë vlerën e mbi 4 miliardë eurove, konsiderohet një nga projektet më të mëdha turistike në rajonin e Mesdheut dhe synon të kontribuojë ndjeshëm në zhvillimin ekonomik të vendit gjatë viteve të ardhshme.
Në reagim thuhet se projekti është ende në fazën e finalizimit dhe se dokumentacioni teknik, përfshirë studimet mjedisore dhe projektet e ndërtimit, do të bëhen publike sapo të përfundojnë.

Kompania thekson gjithashtu se prej dy vitesh janë angazhuar ekspertë vendas dhe ndërkombëtarë për vlerësimin e ndikimit në mjedis dhe biodiversitet, me qëllim garantimin e mbrojtjes së ekosistemit të zonës.
Sipas deklaratës, investimi pritet të krijojë mbi 10 mijë vende pune direkte dhe indirekte, si dhe të gjenerojë efekte pozitive në ekonominë lokale, sektorin e shërbimeve, turizmit dhe tregun e pasurive të paluajtshme në Vlorë dhe më gjerë.
Kompania sqaron se të gjitha transaksionet për blerjen e tokës janë kryer nëpërmjet sistemit bankar dhe janë të verifikueshme, ndërsa punësimet aktuale dhe ato të ardhshme do të realizohen sipas kontratave dhe standardeve të përcaktuara nga ligji shqiptar.
Në deklaratë bëhet e ditur se investitorët kanë lidhur marrëveshje bashkëpunimi me marka ndërkombëtare të njohura në sektorin e hotelerisë, gastronomisë dhe shërbimeve turistike, ndërsa projekti synon të pozicionojë Vlorën si një nga destinacionet më të rëndësishme të turizmit në Mesdhe.
Në përfundim, “Zvërnec South Adriatic Development” dënon çdo akt dhune ndaj pronës private dhe kundërshton, sipas saj, përpjekjet për të dezinformuar publikun lidhur me projektin. Kompania shprehet e gatshme të vazhdojë komunikimin me publikun dhe institucionet, ndërsa paralajmëron se do të ndjekë rrugët ligjore ndaj çdo veprimi që konsideron si pengim ose shantazh ndaj investimit.

REAGIMI I PLOTE
Me keqardhje të thellë që po abuzohet me ndjenjat e publikut në rrjetet sociale dhe po investohet për të përbaltur një sipërmarrje kolosale për turizmin dhe ekonominë shqiptare, kompania “Zvërnec South Adriatic Development” njofton shtypin dhe opinionin publik si më poshtë:
Në zbatim strikt të legjislacionit shqiptar dhe në dialog të vazhdueshëm me institucionet përgjegjëse, kompania ka arritur të nisë fazën fillestare të një prej investimeve më të mëdha në fushën e turizmit në Detin Mesdhe, duke vendosur sipas ligjit rrethimin e pronës private që ajo disponon.
Teksa kompania është duke zhvilluar projektin final të ndërtimit, me ambicien për të arritur standardet më të larta arkitekturore dhe mjedisore, dhe ende pa u prezantuar projekti, gjendemi të detyruar të japim disa shpjegime:
Investimi parashikohet të arrijë vlerën e mbi 4 miliardë eurove, duke kontribuar me një rritje nga 3 deri në 4% në GDP (Prodhimi i Brendshëm Bruto) e Shqipërisë, në 5 vitet e ardhshme.
Investimi do të kujdeset tërësisht për ruajtjen e mjedisit dhe biodiversitetit të zonës dhe për këtë investitorët kanë angazhuar prej 2 vitesh kompetencat më të spikatura në nivel global, për studimet mjedisore përkatëse. Të cilat padyshim do të ndahen jo vetëm me institucionet, po edhe me publikun.
Investimi do të krijojë direkt dhe indirekt mbi 10.000 (dhjetë mijë) vende të reja pune, duke u bërë një motor i rëndësishëm për ekonominë e zonës, të qarkut Vlorë dhe gjithë Shqipërisë.
Bazuar në eksperiencat e mëparshme të investitorëve, që kanë një portofol ndër më të spikaturit globalisht në fushën e turizmit, kompania beson se investimet dytësore që do të pasojnë do të rrisin ndjeshëm të gjithë zinxhirin e vlerës së ekonomisë vendore, nga vlera e pasurive të patundshme të krejt zonës së Vlorës deri tek diversifikimi i ofertës ekonomike dhe niveli i pagave për zonën.
Investitorët kanë një bilanc kuptimplotë të bashkëpunimit të ngushtë me komunitetin në çdo investim të tyre, si edhe të përgjegjshmërisë sociale, gjëra që janë pjesë e planifikimit të punës dhe do të nisin bashkë me punën për projektin.
Ndërkohë nënvizojmë sa më poshtë disa të vërteta të mbuluara nga mjegulla e abuzimit mediatik:
Trualli në të cilin do të zhvillohet projekti është pronësi private metër për metër dhe kompania e ka blerë nga pronarët e ligjshëm, me certifikata pronësie të noterizuara. Të gjitha transfertat e blerjeve në lidhje me pronësinë janë kryer përmes sistemit bankar dhe janë lehtësisht të verifikueshme.
Të gjithë punonjësit që janë punësuar apo do të punësohen më tej në projekt janë dhe do të jenë subjekt i kontratave përkatëse sipas legjislacionit shqiptar.
Të gjithë hapat e ndjekur nga kompania janë bazuar në legjislacionin shqiptar dhe në konformitet të plotë me autorizimet përkatëse në çdo hap.
Projekti i ndërtimit, ashtu si edhe ai mjedisor, po finalizohet nga disa studio ndër më të mirat në botë dhe sapo të përfundojë do të ndahet publikisht me të gjithë të interesuarit.
Kompania ka lidhur marrëveshje me disa prej brandeve më të njohur të ekselencës botërore në fushën e hotelerisë dhe shërbimeve të tjera, nga restorantet e baret deri tek aktivitetet sportive apo edukative.
Investitorët kanë një karrierë absolutisht të pakontestueshme dhe zotërojnë kompani të kuotuara në bursat ndërkombëtare, si edhe kapitale të pakontestueshme nga askush. Edhe kompania “Zvërnec South Adriatic Development” nuk do të bëjë asnjë përjashtim në zinxhirin e kompanive të tyre, të cilat janë krenare të mishërojnë ekselencën globale në çdo fushë të aktivitetit të tyre.
Duke dënuar me forcë çdo akt dhune ndaj pronës private si edhe duke hedhur poshtë çdo përpjekje që synon disinformimin e publikut, kompania kërkon mirëkuptimin dhe durimin e publikut, duke i siguruar të gjithë ata që duan zhvillimin e qëndrueshëm dhe të suksesshëm të Shqipërisë, se nuk do të zhgënjehen kurrësesi nga cilësia absolute e projektit dhe produktit tonë.
“Zvërnec South Adriatic Development” është forca që do të zbatojë një investim ndërkombëtar, me bindjen dhe përkushtimin për ta shndërruar Vlorën në një nga pikat më të preferuara për turizmin botëror, ndërkohë që investitorët e këtij projekti janë miq të padiskutueshëm të Shqipërisë që frymëzohen nga tradita dhe mikpritja legjendare shqiptare.
Le të punojmë të gjithë së bashku, me besim dhe vërtetësi me njëri-tjetrin. Ndërsa me këdo që do të përpiqet të na pengojë apo shantazhojë, do të përballemi ligjërisht.
Pamje ‘surreale’ nga Zvërneci, personat e maskuar nuk pyesin as për policinë, u hedhin spraj efektivëve

Pamje të pazakonta janë ato që vijnë nga Zvërneci ku prej orëhs protestohet nga qytetarët kundër rrethimit të zonës së mbrojtur për të ndërtuar një projekt resorti turistik. Përveç rrëmbimit të qytetarëve pa dashur t’ja dijnë për policinë, personat e maskuar së fundmi kanë hedhur spraj edhe ndaj vetë efektivëve gjersa këta të fundit po përpiqeshin të ruanin rendin mes tyre dhe protestuesve.
Nuk dihet ende se çfarë përfaqësojnë këta persona të veshur civilë të cilët duken të paprekshëm nga forcat e rendit dhe madje nuk kursehen as në hedhjen e sprajt ndaj tyre. Versus.al
VIDEO/ Tmerr në Zvërnec, persona të maskuar heqin zvarrë protestuesin
Ditën e sotme në Zvërnec po zhvillohet një protestë kundër rethimit të zonës së mbrojtur ku do të ndërtohet një projekt i cili siç bëri me dije dje kryeministri Edi Rama, është pronë e privatit dhe jo e shtetit pavarësisht se ndodhet në vijë bregdetare dhe zonë të mbrojtur.
Siç shihet nga pamjet, persona të maskuar pa uniformë po shkaktojnë terror tek protestuesit dhe në një moment heqin zvarrë njërin prej qytetarëve shqiptarë.
Pamjet janë të papranueshme, aq më tepër kur bëhet fjalë për persona civilë të paidentifikuar të cilët nuk dihet nëse janë punonjës policie. Versus.al

