Live Updates /

PD mbledh Kuvendin Kombëtar për "ripërtëritje", votohen 8 ndryshime në statut dhe zgjidhen anëtarët e Këshillit

*Partia Demokratike ka mbledhur sot në Pallatin e Kongreseve delegatët e Kuvendit Kombëtar për atë që e ka quajtur “procesi i ripërtërirjes”. *Kuvendi nisi me fjalën e avatarit IA të heroit kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu dhe më pas edhe me fjalën e kryeministrit të Kroacisë, Andrej Plenkoviç i cili tha se kishte patur një bisedë të gjatë me Berishën për reformimin e partisë. *Gjatë Kuvendit të sotëm do të miratohen disa ndryshime në statut si dhe do të votohen anëtarët e rinj të Këshillit Kombëtar.

Shkruar nga Versus

Çfarë do të gjeni në brendësi

*Partia Demokratike ka mbledhur sot në Pallatin e Kongreseve delegatët e Kuvendit Kombëtar për atë që e ka quajtur “procesi i ripërtërirjes”. *Kuvendi nisi me fjalën e avatarit IA të heroit kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu dhe më pas edhe me fjalën e kryeministrit të Kroacisë, Andrej Plenkoviç i cili tha se kishte patur një bisedë të gjatë me Berishën për reformimin e partisë. *Gjatë Kuvendit të sotëm do të miratohen disa ndryshime në statut si dhe do të votohen anëtarët e rinj të Këshillit Kombëtar.

7 Postime
1 ORE ME PARE

Kuvendi Kombëtar i PD miraton ndryshimet në statut! Neni "Basha" mbetet i pandryshuar

PD mbledh Kuvendin Kombëtar për "ripërtëritje",

Kuvendi i Partisë Demokratike miratoi sot ndryshimet në 8 pika të statutit duke votuar nen për nen dhe në tërësi. 

Vlen të theksohet se në statut ka mbetur i pandryshuar neni "Basha", që do të thotë se kryetari duhet të japë dorëheqjen në rast të humbjes së zgjedhjeve. Ndërsa është shtuar komisioni i posaçëm që do të merret me përzgjedhjen e kandidaturave për deputet ose kryetar bashkie.

Më pas këto emra mund të kandidojnë në "Primare".

Risitë dhe ndryshimet kryesore në Statut:

1. Fuqizimi i Diasporës shqiptare dhe përfaqësimi real politik i saj.15% në lista dhe në organet e partisë duhet të jenë përfaqësues nga Diaspora.

2. Fuqizimi i rolit të grave dhe vajzave në Parti, duke e rritur përfaqësimin e tyre nga 30 % në 40%.

3. Ngritjen e Komisionit të Seleksionimit të Kandidaturave për deputet dhe kryetar bashkie, si strukturë autonome nga organet drejtuese të partisë, përpara realizimit të procesit të primareve.

4. Përmirësimi i organizimit bazë të partisë (grupseksionet dhe nëndega) dhe forcimi i Kolegjit të Kryetarëve të Grupseksioneve.

5. Forcimi i raporteve mes Degëve të Partisë dhe të zgjedhurve vendor (këshilltarëve bashkiak).

6. Njohja e një statusi të barabratë për të gjitha organizatat partnere të partisë, duke respektuar historinë e themelimit të PDSH.

7. Mbrojtja e të dhënave personale të anëtarëve të Partisë.

8. Saktësimi i rregullave të shkarkimit të kryetarëve të degëve, duke i dhënë më shumë garanci të qëndrimit në detyrë. Versus.al

1 ORE ME PARE

Emri i tij në listën e kandidatëve për Këshillin e PD, juristi nxjerr bllof Berishën: S'kam dijeni për këtë

PD mbledh Kuvendin Kombëtar për "ripërtëritje",

Juristi i njohur, Jordan Daci ka reaguar publikisht me një shkrim në rrjetet sociale ku sqaron se nuk ka qenë në dijeni të faktit se emri i tij ishte në listën e kandidatëve për Këshillin Kombëtar të PD.

Daci tha se nuk ka qenë vullneti i tij që të jetë një prej kandidatëve dhe këroi që emri i tij të mos përdoret apo interpretohet si shenjë e mbështetjes politike për PD.

"Në lidhje me një informacion të bërë publik së fundmi, sipas të cilit emri im rezulton i propozuar si kandidat për Këshillin Kombëtar të Partisë Demokratike, ndjej detyrimin të sqaroj me korrektësi dhe qetësi se nuk jam anëtar i Partisë Demokratike, nuk kam paraqitur asnjë kërkesë, pëlqim apo shprehje vullneti për të kandiduar në strukturat e saj, dhe nuk kam pasur dijeni paraprake për një propozim të tillë.

Duke ruajtur respektin për çdo qytetar apo strukturë që mund të ketë vlerësuar emrin tim, si dhe duke falënderuar cilindo propozues që mund të ketë vepruar me mirëbesim, më duhet të shprehem qartë se nuk pajtohem me përfshirjen e emrit tim në këtë proces dhe kërkoj që ai të mos konsiderohet si shprehje e vullnetit tim personal, profesional apo publik.

Aktualisht, zgjedhja ime institucionale dhe profesionale është e lidhur me kandidimin për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë. Për këtë arsye, i qëndroj me përgjegjësi të plotë parimeve kushtetuese të pavarësisë, paanësisë, integritetit dhe mospërfshirjes në veprimtari politike, të cilat janë thelbësore për çdo kandidat që synon t’i shërbejë vendit në një funksion të tillë të lartë kushtetues.

Ky sqarim nuk synon të krijojë debat publik, polemikë apo keqkuptim politik, por vetëm të shmangë çdo interpretim të pasaktë mbi pozicionin tim. Unë nuk kam qenë dhe nuk jam pjesë e këtij procesi politik, dhe emri im nuk duhet të përdoret apo të interpretohet si shenjë përkatësie, mbështetjeje apo angazhimi partiak.

Do të vijoj me seriozitet, përulësi dhe përgjegjësi rrugën institucionale të kandidimit për Gjykatën Kushtetuese, me bindjen se, nëse organet përkatëse të emërtesës do të më besojnë këtë detyrë, do t’i shërbej Republikës së Shqipërisë vetëm mbi bazën e Kushtetutës, ligjit, pavarësisë dhe interesit publik"- shkruan Daci. Versus.al

2 ORE ME PARE

“Jemi në kilometrin e fundit”, Berisha: Ramën e futëm në rreth të kuq, do e rrëzojmë

PD mbledh Kuvendin Kombëtar për "ripërtëritje",

Në fjalën e tij drejtuar delegatëve të Kuvendit Kombëtar të PD, Sali Berisha përsëriti frazën e tij të “kilometrit të fundit” duke thënë se detyra kryesore e tyre është ripërtëritja e partisë.

Sipas Berishës, Rama është në “rreth të kuq” dhe do të largohet me çdo çmim nga pushteti.

“Sot jemi forca politike në kilometrin e fundit, në kilometrin që ecën drejt fitores. Në këtë kilometër, të fundit të kësaj maratone ne kemi detyra shumë të rëndësishme, detyra dhe detyrime kapitale, detyra jonë numër 1, që ua kemi borxh demokratëve dhe shqiptarëve është ripërtëritja. I kapërcyem të gjitha barrikadat, që na vuan para, e futëm në rreth të kuq, narkdiktatorin, diku e thërrasin Ramaduro, diku Edi Balluku, ndërsa ne do ta largojmë atë me çdo çmim nga pushteti. Demokratë e demokratë ja ku jemi këtu, tu themi shqiptarëve se për ne njerëzit që adhurojnë kombin dhe flamurin e tij, për ne flamuri kombëtar do mbetet në gjysmë shtizë gjersa flamuri i votës së lirë të shqiptarëve, të valëvitet krah tij. Beteja jonë është betejë për flamur, dinjitet kombëtar, për lirinë e shqiptarëve. Ndaj edhe ripërtëritja e partisë, është dhe duhet të jetë vepra jonë më madhështore, për të ripërtërirë nesër Shqipërinë”, tha Berisha. Versus.al

2 ORE ME PARE

Nga Stresi e tenori i njohur, tek pasardhësit e Azem Hajdarit e Bujar Nishanit, kandidatët për Këshillin Kombëtar të PD

PD mbledh Kuvendin Kombëtar për "ripërtëritje",

Janë zbardhur emrat e disa prej kandidatëve në listën për Këshillin Kombëtar të PD. Nuk dihet ende sesa anëtarë do të zgjidhen pasi detajet po mbahen secret, por pritet që në vazhdim të mësohet më shumë.

Në listë nuk mjaftojnë emrat e njohur publikë, si ish-banori dhe këngëtari Armaldo Kllogjeri, pasardhësit e Sokol Olldashit, Azem Hajdarit dhe Bujar Nishanit si dhe reperi i njohur Arkimed Lushaj.

Glauk Olldashi dhe Azem Hajdari, përkatësisht djali i Sokol Olldashit dhe ai i “Heroit të Demokracisë”, Azem Hajdari kandidojnë për anëtarë të KK, nga lista e FRPD. Forumi i gruas dhe të rinjtë do të kenë kuota përfaqësimi në Kuvendin e ri Kombëtar të demokratëve. Versus.al

3 ORE ME PARE

"Pas otomanëve, Rama na ka kushtuar më së shumti", Kuvendi Kombëtar i PD nis me avatarin IA të Skënderbeut

PD mbledh Kuvendin Kombëtar për "ripërtëritje",

Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike në Pallatin e Kongreseve ka nisur me fjalën e mbajtur nga avatari IA i heroit kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Me fjalët e përgatitura nga departamenti i PD, avatari i Skënderbeut foli për “Diellën” dhe për gjendjen ku ndodhet vendi duke fajësuar kryeministrin Edi Rama si një prej dëmtuesve më të mëdhenj që pas osmanëve.

“Jam unë, Gjergj Kastriot Skënderbeu. Në fakt jam një avatar i krijuar nga departamenti i IA i PD. Ndryshe nga avatari i Ramës, “Diella” që ka kushtuar 4 milionë euro, unë kam kushtuar vetëm 100 euro. Edi Rama po i kushton shumë Shqipërisë. Që nga pushtimi ottoman askush nuk i ka kushtuar më shumë vendit tonë”- tha avatari IA. Versus.al

 

4 ORE ME PARE

Kandidon për Këshillin Kombëtar të PD, reperi Stresi në Pallatin e Kongreseve! E shoqëron i ati Sali Lushaj

PD mbledh Kuvendin Kombëtar për "ripërtëritje",
Reperi Stresi dhe babai i tij, Sali Lushaj

Reperi Arkimed Lushaj, i njohur ndryshe si “Stresi” ëhstë parë sot në Pallatin e Kongreseve i shoqëruar nga babai i tij Sali Lushaj dhe njerëz të afërm.

Sot pritet të mbahen punimet e Kuvendit Kombëtar të PD ku do të zgjidhen strukturat e reja të partisë dhe gjithashtu do të mbahen zgjedhjet për anëtarët e këshillit kombëtar, ku mes kandidatëve është edhe Stresi.

Ky i fundit e zyrtarizoi vetë lajmin ditën e djeshme duke bërë me dije se kishte pranuar propozimin e bërë nga kryedemokrati Sali Berisha dhe u bëri thirrje të rinjve që të marrin në dorë fatet e vendit.

“Kam vendosur të hedh një hap më shumë për vendin tim, për të rinjtë dhe për zërin e një brezi që shpesh është ndjerë i papërfaqësuar. Kandidimi im për Këshillin Kombëtar të PD-së nuk është thjesht politikë është përgjegjësi, përfaqësim dhe besim tek rinia shqiptare.

Kam ardhur nga rruga, nga jeta reale, nga sfidat që çdo i ri i njeh mirë. Prandaj dua që zëri ynë të dëgjohet aty ku merren vendimet. Nuk ka më kohë për heshtje, për largime apo për dorëzim. Ka ardhur koha që rinia të ngrihet, të flasë dhe të marrë vendin që meriton.

Ftoj çdo të ri që beson te ndryshimi, te energjia e re dhe te Shqipëria që mund të bëhet më mirë, të bashkohet me mua në këtë rrugëtim. Sepse e ardhmja nuk pret. Dhe ajo ndërtohet nga ne”, shkroi Stresi. Versus.al

7 ORE ME PARE

PD mbledh sot Kuvendin Kombëtar, priten ndryshime në statut dhe rifreskim i Këshillit Kombëtar

PD mbledh Kuvendin Kombëtar për "ripërtëritje",

Partia Demokratike do të mbledhë sot Kuvendin Kombëtar ku pritet që kreu i grupit parlamentar Gazment Bardhi të paraqesë propozimet për ndryshimet statutore që do t’i nënshtrohen diskutimit dhe miratimit nga delegatët.

Në rendin e ditës është parashikuar edhe miratimi i përbërjes së re të Këshillit Kombëtar, një strukturë kyçe në organizimin dhe funksionimin e partisë. Risi këtë herë është edhe kandidimi i personazheve të muzikës si rasti i reperit Stresi i cili shpalli dje kandidaturën e tij. 

Kuvendi Kombëtar pritet të përcaktojë edhe drejtimet politike dhe organizative që Partia Demokratike do të ndjekë në periudhën e ardhshme. Ndryshimet nuk do të prekin të ashtuquajturin “Neni Basha”, i cili parashikon kufizime për drejtuesit që humbasin zgjedhjet, si dhe mekanizmin e Primareve për përzgjedhjen e kandidatëve. Versus.al

Poll