Një fotografi e pazakontë e realizuar nga një radar shpejtësie në Gjermani është kthyer në hit në rrjetet sociale dhe ka shkaktuar të qeshura te mijëra përdorues.
Ngjarja ndodhi në fillim të muajit maj në rajonin e Renanisë së Veriut-Vestfalisë, ku policia e qytetit të Euskirchen po kryente kontrolle të zakonshme në një zonë me kufizim shpejtësie prej 30 km/h.
Kur efektivët nisën të shqyrtonin fotografitë e kapura nga radari, mbetën të habitur. Në njërën prej tyre shfaqej një grua e moshuar që po kalonte rrugën qetësisht, me deambulatoren në njërën dorë dhe një çantë pazari në tjetrën. Sipas të dhënave të radarit, ajo po lëvizte me plot 42 km/h.

Policia vendosi ta trajtojë situatën me humor dhe publikoi foton në rrjetet sociale, duke shkruar se në pamje të parë dukej sikur e moshuara kishte vendosur një rekord botëror shpejtësie me deambulatore ose po përgatitej të sfidonte sprinterin legjendar Usain Bolt.
Natyrisht, shpjegimi ishte shumë më i thjeshtë. Gruaja nuk po lëvizte me shpejtësi marramendëse, por thjesht kaloi përpara kamerës pikërisht në momentin kur një automjet po regjistrohej nga radari me 42 km/h.
Ironikisht, e moshuara u bë edhe “shpëtimtarja” e shoferit që kishte tejkaluar shpejtësinë. Në çastin e fotografimit, ajo dhe deambulatorja e saj mbuluan plotësisht targën e furgonit që po kalonte, duke e bërë të pamundur identifikimin e drejtuesit të mjetit.
Për pasojë, autoritetet nuk arritën të përcaktonin se kush ishte shoferi që kishte shkelur kufirin e shpejtësisë dhe ai i shpëtoi gjobës. Ndërkohë, fotografia e “gjyshes më të shpejtë të Gjermanisë” vazhdon të bëjë xhiron e internetit, duke u kthyer në një nga momentet më argëtuese të javëve të fundit.

