Shkencëtari britaniko-kanadez, i quajtur shpesh si "babai" i inteligjencës artificiale, Geoffrey Hinton, ka paralajmëruar se shanset që AI të çojë në zhdukjen e njerëzimit brenda tre dekadave të ardhshme janë rritur.
Hinton, i cili këtë vit u nderua me Çmimin Nobel në Fizikë për kontributin e tij në zhvillimin e Inteligjencës Artificiale, vlerësoi se ka një shans 10% deri në 20% që teknologjia të shkaktojë pasoja katastrofike për njerëzimin.
Në një intervistë në programin Today të BBC Radio 4, Hinton theksoi se shpejtësia e zhvillimit të teknologjisë ishte "shumë më e shpejtë" nga sa priste. Kur u pyet nëse i ka rishikuar vlerësimet e tij, ai u përgjigj: “Jo shumë, 10% deri në 20%."
Hinton shpjegoi se inteligjenca njerëzore do t'i ngjajë asaj të një fëmije të vogël në krahasim me inteligjencën e sistemeve të fuqishme të AI. “Mendoni veten krahasuar me një fëmijë tre vjeçar. Ne do të jemi tre vjeçarët”, tha ai.
Hinton ngjalli interes global vitin e kaluar kur dha dorëheqjen nga pozicioni i tij në Google për të folur më hapur për rreziqet e zhvillimit të pakontrolluar të AI. Që atëherë, ai ka shprehur shqetësime të forta për përdorimin e teknologjisë nga "aktorët keqdashës" dhe potencialin që sistemet e përgjithshme të inteligjencës artificiale t'i shpëtojnë kontrollit njerëzor, duke paraqitur një kërcënim ekzistencial.
Duke reflektuar mbi evolucionin e inteligjencës artificiale, Hinton deklaroi se ai nuk priste që teknologjia të kishte arritur nivelin e saj aktual kaq shpejt. “Situata tani është se shumica e ekspertëve në këtë fushë besojnë se brenda dy dekadave të ardhshme, ne ndoshta do të zhvillojmë AI që është më i zgjuar se njerëzit. Dhe ky është një mendim shumë i frikshëm”.
Hinton bëri thirrje për rregullimin e teknologjisë nga qeveria, duke argumentuar se mbështetja në "dorën e padukshme" të tregut dhe motivi i fitimit nuk mjafton për të siguruar zhvillimin e saj të sigurt. "E vetmja forcë që mund t'i detyrojë kompanitë e mëdha të investojnë më shumë në sigurinë është rregullimi i qeverisë," tha ai.
Pavarësisht shqetësimeve të Hinton, ekspertë të tjerë, si Jan LeCun, shkencëtari kryesor i AI në Meta, kanë një pikëpamje të ndryshme. LeCun deklaroi se AI "mund ta shpëtojë njerëzimin nga zhdukja", duke zvogëluar shqetësimin për kërcënimet ekzistenciale.







