Që pas fitores në Festivalin e Këngës në RTSH, emri i Beatriçe Gjergjit është bërë një nga më të përfolurit në skenën muzikore shqiptare. Përfaqësimi i Shqipërisë në Eurosong i dha asaj jo vetëm famë në nivel kombëtar, por edhe vëmendjen e publikut evropian.
Megjithëse e rezervuar në daljet për mediat, Beatriçe ka zgjedhur të fokusohet kryesisht te karriera e saj artistike, veçanërisht në rrugëtimin me grupin “Shkodra Elektronike”. Por, siç ndodh shpesh me figurat publike, edhe jeta e saj private ka zgjuar interes të madh.
Pikërisht në skenën e Eurosongut, publiku pati mundësi të shihte për herë të parë këngëtaren në shoqërinë e bashkëshortit të saj italian, Marcello. Pas suksesit në kompeticion, kamerat e fiksuan çiftin duke shkëmbyer një puthje, një moment që konfirmoi lidhjen e tyre përballë publikut.
Beatriçe lindi në Shkodër, por u zhvendos në Itali që në moshë të vogël. Aty u rrit dhe formoi identitetin e saj artistik, pa e humbur kurrë lidhjen me rrënjët e saj. Ajo e thekson shpesh se edhe sot flet vetëm në dialektin shkodran. Aktualisht, jeton në Auronzo di Cadore, një qytet i vogël në Alpet italiane, së bashku me Marcello-n – muzikant si ajo.
Mediat italiane kanë raportuar se Marcello ka qenë një ndër mbështetësit kryesorë të Beatriçes në hapat e parë drejt industrisë së muzikës. Çifti nisi fillimisht si bashkëpunëtorë në projekte muzikore dhe më pas ndërtuan një lidhje që bashkon jetën personale me pasionin profesional.
Marcello e ka shoqëruar Beatriçen në çdo hap të saj artistik, duke qenë përkrah saj edhe në Bazel, ku u mbajt Eurovisioni. Ai është përshkruar si një shtyllë e rëndësishme për suksesin dhe vetëbesimin e këngëtares në skenën ndërkombëtare.
Beatriçe Gjergji është sot një nga zërat më të veçantë shqiptarë. Me një stil unik që ndërthur tingujt modernë elektronikë me traditën shkodrane, ajo është bërë e njohur përmes grupit “Shkodra Elektronike”, ku bashkëpunon me producentin Kolë Laca. Në intervista të ndryshme, ajo ka rrëfyer rrugëtimin drejt krijimit të këtij projekti artistik, që tashmë është pjesë e identitetit të saj muzikor.
“Unë kam shkuar 6 vjeçe në Itali, aty kam bërë dhe shkollën. Unë flas vetëm në shkodrançe, e kam shumë të vështirë të flas gjuhën letrare. Kolën e kam zbuluar në Youtube. Pastaj unë i çova në mesazh në Facebook dhe u bëmë shokë në Facebook. Unë nxirrja videot e mia duke kënduar me grupe italiane, Kola ka parë disa gjëra që i kanë pëlqyer dhe më propozoi një projekt të përbashkët, ‘Shkodrën Elektronike’”, rrëfeu Beatriçe.
Karriera muzikore e Beatriçe Gjergjit mori hov të vërtetë në vitin 2018, me formimin e duos “Shkodra Elektronike”. Së bashku me producentin Kolë Laca, ata sollën një koncept artistik të pazakontë: rikthimin e këngëve tradicionale shkodrane në një format modern, duke i ndërthurur ato me elementë të muzikës elektronike dhe pop.
Ky projekt u prit ngrohtë nga publiku dhe kritika, duke kulmuar me suksesin e këngës “Zjerm”, e cila fitoi edicionin e 63-të të Festivalit të Këngës në RTSH. Kjo fitore i dha duos mundësinë të përfaqësonin Shqipërinë në Eurovision Song Contest 2025, që do të mbahet në Bazel të Zvicrës.
Përtej skenës, Beatriçe është e angazhuar edhe në mësimdhënie, ku ndan përvojën dhe pasionin e saj me artistët e rinj. Përmes kësaj pune, ajo përpiqet të frymëzojë brezat e ardhshëm të muzikantëve, duke ruajtur thelbin e traditës në një botë që ndryshon vazhdimisht.
Beatriçe Gjergji është një shembull i shkëlqyer i integrimit kulturor dhe ruajtjes së identitetit kombëtar në diasporë. Ajo dëshmon se është e mundur të ndërtosh një karrierë ndërkombëtare, pa u shkëputur nga rrënjët dhe trashëgimia jote kulturore. Me zërin dhe stilin e saj unik, ajo vazhdon të ndërtojë ura mes së shkuarës dhe të ardhmes së muzikës shqiptare.







