Aktori Romir Zalla u largua të premten nga “Ferma VIP”, pasi u eliminua në gjysmëfinalen e spektaklit, vetëm pak hapa larg finales së madhe.
Pas daljes nga gara, ai ishte i ftuar në emisionin “Ferma Club”, ku foli për eksperiencën e tij në fermë dhe emocionet që ka përjetuar gjatë qëndrimit aty.
“Kisha një merak që kur të dilja do të më duhej shumë kohë të rikuperohesha. Ishte një eksperiencë që përjetuam një mënyrë jetese shumë të shëndetshme. Ajri i pastër, ushqim i shëndetshëm, na qetësoi dhe na relaksoi nga ngarkesa e jetës urbane,” u shpreh aktori.
Duke komentuar lojën dhe strategjitë e ndjekura nga konkurrentët, Zalla theksoi se nuk ka qenë i gatshëm të ndryshojë karakterin e tij për hir të garës.
“Nëse do duhet të bëja show, ta fusja profesionin në lojë, do e bëja vetëm në sfida… 70% e fermës nuk mund të hyja në lojë, të fusja në kurth apo t’i futja thikën dikujt. Është diçka që nuk e bëj dot,” deklaroi ai.
Aktori la të kuptohet se për të, pjesëmarrja në spektakël ishte më shumë një eksperiencë njerëzore dhe personale sesa një garë e bazuar te strategjitë dhe konfliktet.

