
Pavarësisht se emri i tij dhe i kryeministrit Edi Rama thirren me të madhe nga turma e protestuesve që kërkojnë burgosjen e tyre, Sali Berisha u kërkoi demokratëve që të merrnin pjesë në protestë dhe të mos kompleksohen nga këto thirrje.
“Mos u impresiononi nga sloganet kundra, ato janë të nxitura nga opozita e opozitës, mjeranët politikë dhe veglat e Ramës”, tha Berisha.
Një nga pyetjet e qytetarëve në rrjetet sociale thoshte: "Po nëse thirrjet janë të nxitura, pse nuk shkon Berisha në shesh?" Kryedemokrati pranoi se prania e tij në protestë mund të dëmtojë thelbin e revoltës qytetare.
“Prania ime aty, me vetëdije mund ta them, dëmton fibrën më të fuqishme të protestës, fibrën qytetare. Jep nuanca të panevojshme. Ajo ka arritur një madhështi, mua më mbetet ta respektoj atë. Kjo është arsyeja pse s’kam ndërmend të shkoj, por ta mbështes me gjithë forcën time. Ajo është politike, por s’duhet të humbasë karakterin qytetar”, shtoi lideri i PD duke akuzuar kryesocialistin Edi Rama se dje kishte thirrur antimiting ndaj protestuesve. Versus.al

