
Mbrojtësi i Kombëtares, Elseid Hysaj përballet me një tjetër moment të vështirë te Lazio. Klubi kryeqytetas ka vendosur ta heqë mbrojtësin e kombëtares shqiptare nga lista e lojtarëve të federuar për ndeshjet e Serie A, duke regjistruar në vend të tij mesfushorin Fisayo Dele-Bashiru.
Lajmi u konfirmua nga vetë klubi italian përmes një njoftimi zyrtar. “S.S. Lazio njofton përfshirjen e Fisayo Dele-Bashiru në listën e lojtarëve të federuar në Lega Serie A, për të zëvendësuar Elseid Hysaj”, njofton Lazio.
Ky vendim pritet ta mbajë Hysajn jashtë fushës për ndeshjet e kampionatit, të paktën deri në një rishikim tjetër të listës nga ana e klubit.
Edhe sezonin e kaluar, Hysaj u la jashtë skuadre për pjesën e parë të sezonit, përpara se të rikthehej në dispozicion.
