
Aktori i njohur Florjan Binaj ka festuar ditëlindjen e 40-të dhe ka ndarë me publikun një rrëfim të gjatë dhe emocionues për jetën e tij, duke rikujtuar momentet dhe njerëzit që kanë formësuar karrierën dhe personin që është sot.
Mesazhin e tij Binaj e nis me humor duke u rikthuar më pas tek fëmijëria në Allias, shokët dhe shoqet e klasës, mësuesit e tij të nderuar në shkollën 8-vjeçare “Ramazan Jarani” dhe tek aktivitetet artistike në Pallatin e Pionerëve. Ai kujton me emocion influencën e artistëve të mëdhenj të kohës, si Koço Devole, Zef Deda, Vasillaq Vangjeli, Fadil Hasa dhe shumë të tjerë që i formuan shqisat artistike.
Binaj vlerëson gjithashtu shokët dhe shoqet e Liceut Artistik “Jordan Misja”, mësuesit e artit, kushurinjtë dhe kolegët nga Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit – dega Arkitekturë, si dhe bashkëpunëtorët e tij në “Portokalli” dhe radio, ku krijoi emisionin humoristik “RIKOSHET” që vazhdon të jetë një nga më të ndjekurit për 19 vjet e gjysmë.
Aktori falenderon gjithashtu fansat nga e gjithë bota, ekipin e emisionit “Piranjat”, gjyshërit, prindërit dhe, më së shumti, gruan e tij Sadina, për mbështetjen e pakursyer gjatë 22 viteve bashkë. Nga kjo lidhje kanë ardhur në jetë tre fëmijët e tyre, Krena, Glauk dhe Vjosa.
“Faleminderit që më keni bërë ky që jam. Faleminderit për urimet. Ju dua shumë!”, shkruan Binaj, duke treguar mirënjohjen e tij të thellë për të gjithë ata që kanë ndikuar në jetën dhe karrierën e tij.
Postimi i plotë i Florjan Binajt:
S’e mbaj mënd si sot, kur erdha në këtë botë me not.
Por, në këto 4 dekada, unë nuk do isha ky që jam pa çdo bashkëudhëtar të jetës time. Shokët shoqet e fëmijërisë në periferinë e Alliasit ku hapësirat ishin të pafundme po aq sa imagjinata, ku ligjet e fizikës i mësonim duke lozur qindra lojra nga lindja e diellit deri në perëndim. Shokët e shoqet e klasës dhe mësuesit e nderuar në shkollën (8 vjeçare atëherë) Ramazan Jarani, me shumë prej të cilëve takohemi ende. Shoqërinë tek Pallati i Pionerëve i cili ishte oazi i artistëve të kohës dhe atyre që do vinin më pas me mësues të rrallë si Atixhe Arapi.
Të gjithë artistët e shquar që i shihnim nëpër filma, këndonim dhe këndojmë këngët e tyre të festivaleve dhe sot, humoristët guximtarë dhe frymëzues si Koço Devole, Parodistët e Vlorës, Zef Deda, Vasillaq Vangjeli, Fadil Hasa, Muharrem Hoxha, Gëzim Kruja, Zyliha Miloti, Marjana Kondi, e shumë të tjerë që në kanë gdhëndur shqisat. Shoqërinë e Liceut Artistik “Jordan Misja” të cilët sot i kam motra e vëllezër.
Mësuesin e artit Klement Zoraqi dhe shumë mësues të tjerë të cilët na mësuan me disiplinë durimin për të punuar shumë për të arritur në heshtje mjeshtrinë e së bukurës. Kushurinjtë e mi në Tiranë e Vlorë me të cilët kam kujtime më të bukura se të gjithë filmat vizatimorë mbledhur së bashku. Shoqërinë e Akademisë së Arteve.
Bashkëudhëtarët e Portokallisë me të cilët u rrita në një tjetër përmasë që deri në atë kohë, të tjerët ma quanin “mungesë serioziteti” por që ato 18 vite punë deri në vetëmohim, sot flasin ende vetë!
Përkrahësin e parë aty, Agron Llakajn i cili besoi tek unë. Çunat e gocat e talentuara në Top Albania Radio, Club FM dhe sot PaperRadio ku RIKOSHET lindi e u rrit si emisjoni humoristik radiofonik më i dëgjuar prej 19 vitesh e gjysëm.
Mësuesit dhe miqtë në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit dega Arkitekturë që sot i quaj familje. Kolegët e projekteve të shumta, ca të kryera e shumë ende nëpër sirtare ëndrrash, të netëve pa gjumë, të sakrificave të patreguara, të plagëve të pashëruara që më mbështetën dhe më dhanë zemër edhe kur unë isha në kufijtë e mi.
Njerëz të rrallë si Dritan Hoxha që krijoi kontinentin ku çelën qindra artistë të rinj si unë. I jam mirënjohës edhe atyre që në jetë kanë dashur të më bëjnë keq sepse fal tyre zbulova sa i fortë jam. Bëhesha edhe më i drejtë sa herë donin të më shtrëmbëronin. Bëhesha edhe më i fortë donin të më lëndonin.
Bëhesha edhe më i dashur sa herë donin të më hidhëronin. Miqtë fotografë të botës së egër, miqtë ekologjistë, miqtë artistë. Fansat anembanë botës të cilët edhe sot më çojnë video ku më thonë: kur isha i vogël e kisha shumë qejf këtë skeçin tënd, sot e shoh sërisht por me fëmijët e mi!
Emisjonin Piranjat që më bëri edhe më të pjekur edhe më pranë problemeve të njerëzve dhe që më njohu me një ekip guximtar, të rrallë për këto kohë. Gjyshërit që na rritën me urtësinë e të dashurit atdheun dhe Kombin më shumë se sytë e ballit.
Prindërit e mi të cilët më mësuan që nderi dhe dinjiteti as nuk blihet dhe as nuk shitet dhe se padrejtësitë vetëm luftohen. Ndershmërinë në ADN-në e tyre e trashëguam plotësisht unë, motra ime Ada dhe vëllai im Klevin. Dhe padiskutim gjysmën time më të shtrenjtë, gruan time, Sadina e cila ka qënë në çdo hap timin këto 22 vite bashkë, edhe kur jam rrëzuar, edhe kur jam ngritur sërisht me të përkrah, ku prej dashurisë tonë erdhën në jetë 3 mrekullitë tona, Krena, Glauk dhe Vjosa! Faleminderit që më keni bërë ky që jam. Faleminderit për urimet. Ju dua shumë!/Versus.al







