
Tifogrupi shqiptar “Shvercerat” ka njoftuar një organizim simbolik dhe domethënës në Shkup, pas pamundësisë për të siguruar bileta për ndeshjen e shumëpritur Shqipëri–Serbi. Në vend të kësaj, ata do të grumbullohen në sheshin qendror të qytetit, duke i ftuar të gjithë shqiptarët t’u bashkohen për të mbështetur Kombëtaren në mënyrë të veçantë.
Përmes këtij akti, “Shvercerat” duan të përcjellin mesazhin se dashuria për Shqipërinë nuk njeh kufij dhe se kuqezinjtë nuk mbeten kurrë vetëm, pavarësisht vendit apo rrethanave.
Ky aktivitet është mbështetur edhe nga Komuna e Çairit dhe synon të krijojë një atmosferë festive, bashkimi dhe krenarie shqiptare, në zemër të Shkupit.
Të gjitha emocionet do të kulmojnë të shtunën, në orën 20:45, kur Shqipëria do të presë për herë të parë Serbinë në “Air Albania”, në kuadër të kualifikueseve për Kupën e Botës 2026.
Njoftimi i Shvercerave:
“FSHF NA PENGON POR ZEMRËN KUQEZI S’MUND TA NDAL ASKUSH! SHVERCERAT E KANË FJALËN E SHTUNA ËSHTË E JONA! Të shtunën, në ora 20:45, krejt në Sheshin Skënderbeu SHKUP, e ndezim atmosferën për Kombëtaren tonë! Ata na duan të ndarë ne u tregojmë që kudo që ka shqiptarë, ka një Shqipëri!
Nuk na ndalin dot me bileta, me rregulla, me urdhra! Ne jemi zëri i tribunes që s’humb kurrë – jemi Shvercerat, jemi Kuqezi, jemi Shqipëria e vërtetë! MOS MUNGO O JE ME KOMBIN, O JE KUNDËR TIJ! Aktiviteti organizohet nga tifo grupi “Shvercerat” dhe përkrahet nga Komuna e Çairit. Një Komb, Një Zë, Një Flamur!”







