MAGAZINË /

“Tare erdhi në Kroaci për të më bindur”, Luka Modriç flet si kuqezi dhe zbulon pse zgjodhi Milanin

Shkruar nga Versus

“Tare erdhi në Kroaci për të më bindur”, Luka

Lojtari kroat Luka Modriç, i cili erdhi si lojtar i lirë nga Real Madridi me një kontratë njëvjeçare, u prezantua përpara tifozëve dhe shtypit dhe u tregua menjëherë i vendosur dhe i bindur për zgjedhjen që bëri, me objektiva të qarta për sezonin me fanellën kuqezi:

“Nuk kisha asnjë dyshim për zgjedhjen time, fola me Ancelottin dhe Ibrën, por kisha vendosur tashmë. Milani është një nga klubet më të forta në botë, kualifikimi në Champions është objektivi minimal dhe nuk mund të kënaqemi me një sezon mediokër. Jam këtu për të fituar, dua të fitoj trofe me këtë fanellë.”

Më pas për Allegrin: “Është një nga më të fortët, është fitues dhe mezi pres të kuptoj si më sheh në fushë”. Dhe për ata që e pyetën nëse Milani do të jetë “vallja e fundit” për të dhe çfarë mund t’i japë Djallit, u përgjigj pa hezitim:

“Është herët për ta thënë, për të ardhmen do të ketë kohë të flasim, tani duhet të jem i përqendruar në të tashmen. Një lojtar, pavarësisht emrit, nuk mund të bëjë diferencën i vetëm. Duhet krijuar një skuadër që u jep mundësi individëve të japin maksimumin. Jam këtu për të dhënë maksimumin, siç kam bërë gjithmonë në karrierën time”.

KONFERENCA PËR SHTYP E PREZANTIMIT TË MODRIC

Si shkuan pushimet dhe çfarë Modric do të jetë te Milani?

Pata tre javë pushime, u shlodha, por u stërvita gjithashtu që të vija në gjendjen më të mirë të mundshme. Kam parë ndeshjet ndaj Arsenalit dhe Liverpool-it, pashë shumë aspekte pozitive dhe shpresoj që rritja e skuadrës të vazhdojë. Mezi pres të stërvitem me grupin.

Të emocionohesh sërish?

Në çdo moshë ka kohë për t’u emocionuar. Jam rritur duke ndjekur futbollin italian dhe Milani ishte skuadra ime e preferuar sepse ndiqej shumë në Kroaci. Ishte idhulli im Boban që këtu bëri shumë mirë. Gjithmonë kam pasur një dashuri të veçantë për këto ngjyra.

Objektivi në këtë aventurë të re?

Duhet të kujtojmë që Milani është një nga skuadrat më të mëdha në botë, ka fituar 7 herë Champions-in. Nuk duhet të kënaqemi me një sezon mediokër, kualifikimi në Champions është minimumi. Duhet të jemi të përulur dhe të punojmë fort, Milani meriton të jetë lart. Mua më pëlqen të fitoj dhe kjo është ajo që dua për këtë skuadër. Objektivi minimal është Champions, por dua të fitoj edhe ndonjë trofe. Ky duhet të jetë objektivi im, por edhe i gjithë klubit. Duhet të mbetemi të përulur për të krijuar një grup të fortë e solid. Kjo është çelësi për sukses.

Çfarë mund t’i japë Modric këtij Milani?

Mund t’i jap eksperiencën time, do të punoj shumë dhe do të jap maksimumin për të bërë atë që kam bërë gjithmonë. Duhet të bëj gjithçka që kam bërë në të kaluarën për të ndihmuar në çdo aspekt. E di që ka shumë pritshmëri ndaj meje, por jam gati dhe mezi pres këtë sfidë.

Çfarë Serie A pret?

Kam ndjekur gjithmonë kampionatin, është shumë konkurrues dhe po rikthehet në nivele të larta. Po bëhet sërish një nga kampionatet më të mira në botë, skuadrat janë shumë të organizuara taktikisht dhe ndoshta kjo e bën të ndryshme nga La Liga. Duhet të përshtatem menjëherë.

Boban, idhulli yt, a të ka dhënë ndonjë këshillë apo ke folur me Ibrën?

Kam folur me disa persona, jo me Boban, por kemi një raport shumë të mirë dhe kemi folur në të kaluarën për Milanin. Takova Zlatanin dhe më foli për këtë klub, Ancelotti më ka folur shumë mirë për Milanin. Të gjitha pozitive, por gjithsesi unë e kisha këtë përshtypje edhe më parë. Milani ka një tifozëri të madhe, por kur legjenda të tilla flasin kështu, sigurisht që perspektiva bëhet më e qartë.

Allegri dhe ajo Champions e 2017-ës?

Ai sigurisht që nuk ka një kujtim të mirë për atë ndeshje, nuk do t’i flas për të sepse nuk dua që të zemërohet me mua. Mezi pres ta njoh më nga afër, kam folur me të, jam i lumtur që do të drejtohem prej tij. Është një nga më të fortët, është fitues dhe mezi pres të kuptoj si më sheh në fushë.

Sezon i fundit (last dance)?

Nuk e di, është herët për ta thënë. Objektivi im është të luaj Botërorin me Kroacinë, por së pari duhet të kualifikohemi. Nuk shikoj shumë përpara, mundohem të jem i fokusuar në të tashmen, të bëj gjërat mirë sot pa u nxituar. Për këtë arsye dua të filloj këtë aventurë, të përgatitem sa më mirë dhe të jem në nivelin që kjo shoqëri kërkon. Për të ardhmen do të ketë kohë për të folur, tani duhet të jem i përqendruar në të tashmen.

Zgjedhja e Milanit?

Për mua ishte një zgjedhje e lehtë, kur Tare erdhi në Kroaci më bëri të kuptoj se sa shumë e donte Milanin. Ky ishte momenti i kthesës në negociata, sepse kur vjen dikush që të kërkon, duhet të të shpjegojë projektin dhe ata bënë pikërisht këtë. Kërkova pak kohë për të folur me familjen, por brenda vetes e dija që ishte zgjedhja e duhur. Erdha menjëherë pas ndeshjes së fundit me Realin, nuk e mendoja që do të ndodhte kaq shpejt.

Në çfarë pozicioni do të luash te Milani?

“Me Allegrin kemi folur dhe të gjithë e dinë se ku ndihem më mirë në fushë. Aty ku mund të diktoj ritmin dhe t’i jap lojës së skuadrës rrjedhshmëri. Por duhet të flas me të për të kuptuar pritshmëritë e tij dhe më pas të punoj fort për të dhënë maksimumin, për të luajtur mirë, ndihmuar skuadrën dhe për të arritur rezultate. Roli që kam luajtur gjithmonë në karrierën time, atje ku ndihem më komod. Por kam luajtur edhe në pozicione të tjera dhe jam i gatshëm për gjithçka. Prioriteti i përket gjithmonë skuadrës, mentaliteti duhet të jetë ky: asnjë lojtar nuk është mbi skuadrën.”

Çfarë të ka impresionuar te grupi i Milanit?

“Kam parë shumë gjëra pozitive, por janë miqësore para-sezonale dhe është e vështirë të japësh mendime. Ka shumë kampionë në këtë skuadër, trajneri do të vendosë për formacionin. Por pashë një skuadër shumë të mirë, ambienti është shumë pozitiv dhe ndjehet ndjeshmëria mes lojtarëve. Nuk dua të flas për individë, por ka shumë lojtarë të fortë.”

Vetëm Milani dhe Real Madridi kanë fituar më shumë Champions League se ti…

“Sigurisht që e dija për 7 Champions League të Milanit, është skuadra më fituese në nivel europian pas Real Madridit.”

I fundit 40-vjeçar me fanellën e Milanit ishte Ibra dhe ai fitoi Scudetton, është ky ëndrra jote?

“Shpresoj që diçka e tillë të mund të ndodhë. Do të isha shumë i lumtur nëse do të ndodhte.”

Përflitet për një rikthim të mundshëm të Gallianit te Milani, e njeh?

“Nuk kam folur me të. E di që ka qenë pjesë e grupit që ka bërë gjëra të jashtëzakonshme me Milanin. Por kjo është gjithçka që mund të them për këtë temë. Ajo që ka bërë me Berlusconin ka qenë e pabesueshme: Milani ishte një nga skuadrat më të forta në botë, por personalisht nuk kam pasur kontakt me të.”

Çfarë të ka thënë Ancelotti për Milanin?

“Kemi folur në përgjithësi për Milanin, për klubin, për njerëzit, për San Siron. Për faktin që është një klub kërkues si Reali dhe që ka presion. Nuk ishte ai që më bindi, unë e dija vetë që doja ta bëja këtë hap.”

Çfarë ndjesish ke pas vendit të tetë sezonin e kaluar?

“Kam ndjesi pozitive. Është e qartë që sezoni i kaluar nuk shkoi mirë, skuadra e mbylli në vendin e tetë. Por duhet të mësosh nga këto eksperienca. Nëse Milani arrin të luajë siç luajti vitin e kaluar kundër nesh në Bernabeu, nuk e kuptoj pse nuk ka luajtur gjithmonë ashtu, sepse niveli është shumë i lartë: duhet punuar për ta mbajtur këtë nivel.”

Mesazhi i Rakitic: Në çfarë aspektesh është me fat Milani që të ka ty?

“Ivani është një mik i madh, kemi një raport shumë të mirë. Ai më ka dërguar një mesazh shumë të bukur dhe jam shumë mirënjohës e i lumtur për këtë. Unë jam me fat që jam këtu, nuk e marr si të mirëqenë. Çfarë mund të jap? Përveç pasionit, përulësisë, etikës së punës, thjeshtësisë sime. Fakti që jam thjesht Luka Modric. Nuk e shoh veten si një person të veçantë apo të jashtëzakonshëm, jam një djalë normal që i pëlqen të luajë futboll dhe kam fatin të luaj për një klub si Milani. Jam shumë i motivuar, shpresoj që gjithçka të shkojë sipas pritshmërive.”

Hyn në dhomat e zhveshjes si udhëheqës dhe ndër më të suksesshmit, ndjen përgjegjësi?

“Një lojtar, pavarësisht emrit, nuk mund të bëjë diferencën i vetëm. Duhet të krijosh një skuadër që u lejon individëve të japin maksimumin. Unë jam këtu për të dhënë maksimumin, siç kam bërë gjithmonë në karrierën time.”

Poll