Një video e publikuar së fundmi nga Universiteti i Auckland shfaq një skenë të rrallë dhe mbresëlënëse që la pa fjalë studiuesit në Gjirin Hauraki të Zelandës së Re .
Video tregon një oktapod maori portokalli të fiksuar diku midis shpinës dhe kokës së një peshkaqeni të madh mako teksa noton në ujërat e kaltra.
Kjo skenë, sipas Guardian, u regjistrua në dhjetor 2023 nga një ekip kërkimor universitar që po studionte zakonet e të ushqyerit të peshkaqenëve në zonë.
Biologia detare Rochelle Konstandini kur vuri re për herë të parë këtë "njollë" portokalli në shpinën e peshkaqenit, ajo fillimisht mendoi se mund të ishte ngatërruar në rrjeta dhe se mund të ishte një copë pajisje peshkimi të mbërthyer në trupin e tij, tha shkencëtarja për New York Times.
Megjithatë, kur tekniku i ekipit vendosi një dron me një kamerë për të parë më mirë se çfarë po ndodhte, ata kuptuan se ishte në të vërtetë një "udhëtar" i lezetshëm që po levizte në majë të grabitqarit të oqeanit, duke ofruar një spektakël unik.
Oktapodi Maori është më i madhi në hemisferën jugore, kjo është arsyeja pse ai "zë shumë... hapësirë në kokën e peshkaqenit", siç vëren Konstandini. Fakti që oktapodët zakonisht jetojnë afër fundit, në thellësi ku peshkaqenët mako zbresin rrallë, e bën takimin edhe më të çuditshëm.
Shkencëtarja nuk e di se çfarë ndodhi më pas, pasi ekipi i saj u largua pas 10 minutash vëzhgimi. Siç vëren ajo, megjithatë, mako, specia më e shpejtë e peshkaqenëve në botë, mund të kalojë shpejtësinë prej 50 km/h – kështu që oktapodi ndoshta përjetoi një... udhëtim të paharrueshëm!







