Shqipëria nuk del pa medalje nga Botërori i Mundjes.
Mundësi i njohur i cili garon nën flamurin shqiptar, Chermen Valiev, i ka dhuruar vendit tonë një medalje të argjendtë, duke përfaqësuar me krenari flamurin kuqezi në një nga kompeticionet më të forta të sportit të mundjes.
Valiev tregoi një rrugëtim të fortë në këtë kampionat botëror, duke kaluar me sukses një sërë sfidash të vështira për të mbërritur në finalen e madhe. Ai e nisi garën me një fitore të thellë 12-2 ndaj mongolit Erdenabat, duke vendosur menjëherë tonin e lartë të performancës së tij. Në raundin pasardhës, eliminoi belgun Ibragim Veliev, ndërsa në çerekfinale përballoi një sfidë të fortë ndaj amerikanit David Aron, të cilin e mposhti 7-5 në një duel tejet të ngushtë.
Gjysmëfinalja solli një tjetër përballje të ashpër, këtë herë me rusin Sidakov, por Valiev, me përqendrim dhe vendosmëri, triumfoi me rezultatin 6-4, duke siguruar kështu biletën për finalen e madhe të kampionatit.
Në finalen ndaj japonezit Takashai, Valiev u përball me një tjetër sfidë të rëndë, këtë herë jo vetëm sportive, por edhe fizike. I dëmtuar rëndë në ligament, ai zgjodhi të mos tërhiqej, duke luftuar deri në fund me shpirtin e një kampioni të vërtetë. Edhe pse rezultati përfundoi 8-2 në favor të japonezit, performanca e Valiev nuk mbeti pa u vlerësuar. / VERSUS /







