MAGAZINË /

"Zemërohej shpesh, më kërkonte llogari", Ancelotti shpjegon përse oligarku rus e shkarkoi nga Chelsea

Shkruar nga Versus

"Zemërohej shpesh, më kërkonte llogari", Ancelotti

Carlo Ancelotti ka pranuar se të qenit trajner nën drejtimin e Roman Abramovich te Chelsea ishte një eksperiencë e pazakontë dhe ndryshe nga çdo gjë tjetër që ai ka përjetuar gjatë karrierës së tij të gjatë.

Italiani mbërriti në "Stamford Bridge" në vitin 2009 dhe fitoi Ligën Premier dhe FA Cup në sezonin e tij të parë, por thotë se kërkesat e vazhdueshme të pronarit rus dhe obsesioni me Ligën e Kampionëve krijuan një presion të jashtëzakonshëm.

Në librin e tij të ri, Ancelotti shkruan momente nga koha e tij në klub, ku kishte biseda të shpeshta me Roman Abramovich.

“E dija që rekordi im do të më çonte vetëm deri diku. Abramovich e bëri të qartë se donte që unë të fitoja Ligën e Kampionëve me Chelsean dhe që klubi të krijonte një identitet të fortë në fushë. Por unë po punoja për një oligark rus, i cili papritmas priste që gjithçka të shkonte mirë gjatë gjithë kohës. Dhe nëse nuk shkonte, ai donte të dinte pse. Ishte detyra ime të jepja përgjigjet”, tregon ai.

Ancelotti kujtoi një mëngjes pas një humbjeje 3–1 ndaj Wigan, kur Abramovich e pyeti direkt për rezultatet. Marrëdhënia u tensionua edhe më shumë pas eliminimit nga Interi i Jose Mourinhos, ku pronari u zemërua nga rezultati dhe ndihej i turpëruar.

Kulmi arriti në vitin 2011, kur Abramovich nënshkroi Fernando Torres për 50 milionë funte dhe kërkoi që ai të luante. Kur Ancelotti e zëvendësoi Torres në një humbje të Ligës së Kampionëve ndaj Manchester United, kjo u pa si një sfidë e drejtpërdrejtë ndaj pronarit. Abramovich e paralajmëroi Ancelottin se nuk duhej të kthehej nëse ekipi humbiste.

“Torres vuante nga mungesa e vetëbesimit dhe ndjeu presionin e tarifës së transferimit. Në dhomën e zhveshjes, Abramovich e bëri shumë të qartë çfarë do të thoshte kjo humbje. Ajo që ndodhi më pas ishte e pashmangshme. Zëvendësimi i Torres ishte një qortim i drejtpërdrejtë ndaj pronarit. Për një moment, kisha harruar se nuk mund ta mposhtja pronarin”, tregon Ancelotti në librin e tij.

Pasi përfundoi i dyti në ligë, Ancelotti u largua nga Chelsea, madje u përjashtua në korridorin e "Goodison Park" nga drejtori ekzekutiv Ron Gourlay para se të largohej nga stadiumi.

Megjithatë, Ancelotti ruan nostalgji për kohën e tij te Chelsea, duke kujtuar lojtarë si Frank Lampard, John Terry dhe Didier Drogba, të cilët e nderuan me një darkë lamtumire.

“Ndoshta Abramovich kishte të drejtë që më la të shkoja. Sezonin pasardhës, Chelsea fitoi Ligën e Kampionëve. Edhe pse ai shkarkoi pasardhësin tim vetëm gjashtë muaj pas triumfit, unë e kujtoj çdo ditë që isha te Chelsea si një përvojë të mrekullueshme”, mbyllin kujtimin e tij Ancelotti për klubin e Chelseat.

Poll