
Tiranë- Prokuroria e kryeqytetit ka dërguar për gjykim 39 persona të akuzuar për një skemë mashtrimi me call center nëpërmjet së cilës kanë përfituar rreth 2 milionë euro.
Hetimi për të zbardhur skemën e mashtrimit, ka zgjatur 3 vite, ndërsa operacioni për goditjen e grupit kriminal u zhvillua në 2021-in kur u zbulua se shtetasi izraelit Rafael Genish drejtonte skemën e mashtrimit së bashku me një grup punonjësish.
Duke përdorur rrjetet sociale, të pandehurit pretendonin se mund t’u krijonin klientëve të tyre fitime të mëdha në bursë.
Si funksiononte skema
Sapo viktima regjistrohej në platformën e mashtrimit me emër, mbiemër, email dhe numrin e telefonit, autorët i kontaktonin menjëherë në telefon dhe krijohej një lidhje besimi me “klientin” e pretenduar. Fillimisht viktimat tundohen të investojnë në sasi të vogla me premtimin se ndërmjetësi (broker) i pretenduar i faqes së investimeve, do të realizonte një fitim të madh me investimin e aksioneve dhe kripto valutave.
Faqja e internetit “fx-leader.com” merrej në mënyrë fiktive me biznes në fushën e trasanksioneve financiare me të ashtuquajtura opsione binare. Për këtë qëllim krijoheshin posaçërisht qëndra thirrje (call center), me anë të të cilave “klientet” kontaktoheshin nga një konsulent financiar personal, për t’i joshur që të bëjnë investime të larta.
Të gjitha fitimet dhe humbjet stimuloheshin virtualisht. Një algoritëm përkatës bënte që fitimet e fillimit t’i shtynin pjesmarrësit për të investuar shuma të mëdha parash. Në momentin që personi i prekur kërkonte që të merrte fitimet e tij apo depozitat, kjo gjë nuk mundësohej. Sipas qëllimit fillestar, sistemi ishte i ndërtuar në formë të tillë që t’i mbante varur personat e prekur deri sa tu merrej mjaftueshëm para në mënyrë të paligjshme, dhe më pas faqet mbylleshin.
Paratë pastroheshin nëpërmjet transfertave në vende të huaja
Gjithashtu u përpiluan 12 Letër Pororsi në vende të ndryshme të Europës dhe prej tyre me interes për hetimin është ajo e ardhur nga Republika Çeke ku nga deklarimet e marra shtetasve çekë të cilët dyshohet se janë kontaktuar nga subjekti RG Capital, veçojmë ate të shtetasit çek J L i cili ka deklaruar se ai në periudhën Janar-Shkurt 2021 është kontaktuar në telefon nga ndërmjetës financiar të cilët e kanë udhëzuar të bëjë investime në bitcoin dhe pas investimeve të bëra nga ana e tij në një shumë prej 285.000 CZK. Pas kësaj ndërmjetësi financiar i ka ndërprerë komunikimet me të dhe shtetasi çek J L nuk i ka marrë paratë e investuara në BTC.
Pastrimi i ketyre vlerave monetare eshte kryer nepermjet transfertave fiktive me fatura fiktive ne banka të shteteve si Lituania, India, Singapori, Hungari, Estoni, Malte etj, vende qẽ jane me risk per aktivitetin e pastrimit te parave nepermjet sistemit bankar të tyre.
Ndaj Rafael Genish rëndojnë akuzat për kryerjen e veprës penale të “Mashtrim kompjuterik”, kryer në bashkëpunim, më shumë se një herë, e parashikuar nga neni 143/b-2 të Kodit Penal dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose i veprimtarise kriminale“. Ndërsa ndaj 38 shqiptarëve rëndon akuza e mashtrimit kompjuterik të kryer në bashkëpunim. Versus.al







