Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj inspektuan sot kompleksin industrial në të cilin operojnë disa kompani të integruara në transport, riciklim dhe përpunim industrial.
Gjatë fjalës së mbajtur para të pranishmëve, Ibrahimaj tha se synimi i zhvillimit industrial është që zinxhiri i prodhimit të mbyllet në Shqipëri. Më tej shtoi se kjo gjë do të mundësojë që produktet të shiten me çmim më të lartë në vendin tonë, duke e konsideruar këtë si qëllimin kryesor të qeverisë.
Fjala e Ibrahimajt: Qëllimi ynë është të prodhojmë mallra dhe shërbime me nivel më të lartë përpunimi brenda vendit, duke synuar që i gjithë zinxhiri i prodhimit të mbyllet në Shqipëri. Kjo do të mundësojë që produktet të shiten me çmime më të larta dhe të gjenerojnë të ardhura më të mëdha për ekonominë vendase. Njëkohësisht, kjo qasje do të ndikojë në rritjen e pagave dhe përmirësimin e mirëqenies për punonjësit e kompanive.
Aktualisht, eksportet janë të përqendruara kryesisht në shërbime; rreth 80% e eksporteve tona janë shërbime, ndërsa vetëm 20% përbëhen nga mallra. Synimi ynë është të rrisim peshën e mallrave në eksporte, duke fuqizuar bizneset që të prodhojnë dhe eksportojnë më shumë produkte të përpunuara.
Nga ana tjetër, qeveria shqiptare ka rritur pagën minimale në mënyrë të vazhdueshme. Nga 40 mijë lekë në vitin 2025, paga minimale ka arritur në 50 mijë lekë. Gjithashtu, pagat në sektorin shtetëror janë rritur çdo vit, me qëllim që edhe sektori privat të ndjekë këtë trend. Megjithatë, vërehet se në disa sektorë, si ai i ndërtimit, pagat vazhdojnë të mbeten në nivele minimale, çka tregon nevojën për ndërhyrje dhe politika shtesë për të nxitur rritjen e tyre. Versus.al

