Dërgimi i të paktën 19 dronëve në hapësirën ajrore të Polonisë nga Rusia javën e kaluar është parë si një sinjal i qartë nga Presidenti Vladimir Putin se ai nuk ka ndërmend të ndalë luftën kundër Perëndimit, shkruan Politico në një analizë të fundit.
Ky veprim vjen pas një vale të re sulmesh ajrore ndaj Ukrainës që lanë dhjetëra civilë të vrarë dhe goditën edhe ndërtesa diplomatike të Bashkimit Evropian dhe Britanisë në Kiev, përfshirë për herë të parë një godinë qeveritare në zemër të kryeqytetit.
Sipas analizës, Putini nuk po kërkon rrugëdalje paqësore, madje, edhe pas presionit të Presidentit amerikan Donald Trump për të negociuar një armëpushim, lideri rus e lidh tani mbijetesën e tij politike me një konflikt të gjatë dhe të thelluar kundër SHBA-së dhe aleatëve të saj.
“Putini është presidenti i luftës,” deklaroi Nikolai Petrov, analist i lartë në Qendrën për Strategji Euroaziatike në Londër. “Ai nuk ka interes për t’i dhënë fund.”
Për Putinin, të kthehet në një president “të paqes” do të ishte një lloj uljeje në status. Dhe kjo është një rrugë që ai duket se nuk është i gatshëm ta ndjekë.
Ushtria ruse avancon, por me kosto të lartë
Ndërsa lufta në Ukrainë i afrohet vitit të katërt, situata në terren duket se i favorizon përkohësisht rusët: mungesa e armëve dhe e forcave njerëzore ka dobësuar mbrojtjen ukrainase, dhe Rusia po fiton terren. Megjithatë, përparimi është i ngadaltë dhe i kushtueshëm. Humbjet e trupave ruse llogariten në rreth një milion, ndërkohë që ekonomia e vendit rrezikon të futet në recesion.
Politikisht, mbyllja e luftës mund të jetë e rrezikshme për Putinin, thekson Politico. Edhe pse Kremlini ka kontroll të plotë mbi median dhe internetin dhe mund ta paraqesë një marrëveshje paqeje si fitore, sfida më e madhe vjen nga brenda: një grup i vogël, por i zëshëm, nacionalistësh, të cilëve Putini u ka premtuar jo vetëm fitoren ndaj Ukrainës, por edhe ndaj asaj që e quan “Perëndimi kolektiv”.
“Dronët përballë NATO-s” dhe përplasjet me Perëndimin
Sipas burimeve të gazetës WELT, pesë nga dronët që kaluan në hapësirën ajrore polake kishin si drejtim një bazë të NATO-s, përpara se të ndërpriteshin nga avionë F-35. Më parë, një tjetër dron rus ishte rrëzuar 100 km në jugperëndim të Varshavës.
Analistët e shohin këtë si një përshkallëzim të luftës hibride që Moska po zhvillon ndaj Evropës. Disa ditë para këtij incidenti, zëvendëspresidenti i Këshillit të Sigurisë së Rusisë, Dmitry Medvedev, kishte kërcënuar hapur Finlandën në një artikull ku sugjeronte se një sulm i mundshëm ndaj Rusisë do të sillte “fundin përfundimtar të shtetit finlandez”.
Në të njëjtën kohë, Rusia po zhvendos sektorë strategjikë të industrisë në lindje të vendit, larg kufirit me NATO-n, ndërsa ka filluar edhe stërvitje ushtarake të përbashkëta me Bjellorusinë në kufi me Poloninë.
“Çfarëdo që të fitojë Putini në Ukrainë, përplasja me Perëndimin nuk do të mbarojë aty,” deklaroi Petrov. “Do të vazhdojë në forma të ndryshme, përfshirë edhe atë ushtarake.”