OPINION /

Analiza e REL: Kosova ka aleatë për NATO, por a e ka veten?

Shkruar nga Versus

Analiza e REL: Kosova ka aleatë për NATO, por a e ka veten?

Mes një bote në kaos dhe riorganizim, siguria është kthyer në prioritet absolut, dhe për Kosovën, ajo lidhet drejtpërdrejt me NATO-n - aleancën më të madhe ushtarake në botë.

Një momentum i ri për afrimin e saj me të është duke u konsoliduar në qendrat e vendimmarrjes në Uashington, megjithatë shfrytëzimi i tij duket se kërkon shtytje më të fortë politike edhe nga Prishtina.

Për ish-ministrin e Mbrojtjes së Shqipërisë, Fatmir Mediu, i përfshirë nga afër në bisedimet për avancimin e Kosovës drejt NATO-s, mbështetja nga Uashingtoni përbën një mundësi të rëndësishme. Por, sipas tij, ajo humbet peshë nëse Kosova nuk siguron stabilitet të brendshëm institucional. Anëtarësimi në NATO kërkon, para së gjithash, konsensus politik dhe qasje të koordinuar nga vetë Kosova.

“Pa një Kosovë me institucione, pa një Kosovë me politikë dhe Qeveri të qëndrueshme, do të jetë e vështirë të hapësh rrugën që duhet për anëtarësimin në NATO”, thotë Mediu për programin Expose të Radios Evropa e Lirë.

Në fund të prillit, në Kongresin amerikan u hodh një hap konkret: përfaqësuesi Keith Self, bashkë me kolegët e tij, Ritchie Torres dhe Mike Lawler, propozuan një rezolutë që synon ta shtyjë përpara rrugën e Kosovës drejt NATO-s.

Rezoluta me mbështetje dypartiake thekson, mes tjerash, se “qeverisja demokratike e Kosovës, mbikëqyrja civile e forcave të sigurisë dhe bashkëjetesa shumetnike përbëjnë një argument bindës për anëtarësimin në NATO”.

Aty, po ashtu, thuhet se “përfshirja e Kosovës në aleancën e NATO-s do të shërbente si një kundërpeshë e nevojshme për të dekurajuar përpjekjet armiqësore dhe për të parandaluar një katastrofë tjetër globale në Ballkan”.

Dhe kjo nuk është nisma e vetme. Një tjetër rezolutë në Kongres, e iniciuar po në fund të prillit nga Torres, Self dhe kongresisti George Latimer, e vendos theksin te prania ushtarake e Shteteve të Bashkuara në Kosovë, duke e cilësuar atë si kyç për stabilitetin në rajon.

Gjatë një mbledhjeje të kësaj jave të Komitetit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, Self ka theksuar sërish se Kosova ka dëshmuar përkushtim të qartë ndaj stabilitetit rajonal dhe përafrimit strategjik me NATO-n, ndaj edhe duhet të jetë pjesë e saj.

“Kosova është, padyshim, një nga partnerët më të afërt dhe më besnikë evropianë të Shteteve të Bashkuara. Në një periudhë të shkurtër kohe, ky shtet i ri ka dëshmuar përkushtim të qartë ndaj qeverisjes demokratike, kontrollit civil mbi forcat e sigurisë dhe bashkëjetesës shumetnike - të gjitha këto e përforcojnë argumentin për anëtarësim në NATO dhe për stabilitet në Ballkan”, ka thënë Self në seancën e 13 majit.

Nga kabineti i kongresistit Torres është shprehur po ashtu mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në NATO, por dhe për vazhdimin e pranisë së SHBA-së në misionin paqeruajtës KFOR.

“Kongresi shpreson që të shohë anëtarësimin e Kosovës në NATO, mbështetje dypartiake për të mbajtur nivelin e forcave në KFOR dhe procesin e dialogut që nuk e shpërblen Serbinë me lëshime dhe kokëfortësi”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i Torresit, Benny Stanislawski.

Qeveria e Kosovës nuk u është përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë për mënyrën se si i interpreton ajo rezolutat e fundit në Kongresin amerikan, për komunikimet eventuale me SHBA-në apo NATO-n, si dhe për vlerësimin e pozicionit aktual të Kosovës në procesin e integrimeve euroatlantike.

Zyra e NATO-s në Bruksel tha vetëm se çdo hap i mëtejshëm për të konsoliduar marrëdhëniet e aleancës me institucionet në Kosovë, kërkon konsensus nga të gjithë aleatët.

“Ne i inkurajojmë institucionet në Kosovë që të konsolidojnë qeverisjen e mirë, për të mirën e të gjithë njerëzve që jetojnë në Kosovë. NATO-ja mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj stabilitetit në Ballkanin Perëndimor, përfshirë edhe përmes misionit KFOR”, tha një zëdhënës i aleancës për Radion Evropa e Lirë.

Poll