
Një episod i shënuar të shtunën gjatë protestës së banorëve kundër rrethimit të Zvërnecit, bëri bujë dhe ishte shkëndija për të ngritur në protestë mijëra të rinj të cilët vijojnë të protestojnë për të disatën ditë radhazi.
Tërheqja zvarrë e një protestuesi ishte akti final i zemërimit të qytetarëve. Menjëherë pas heshtjes therëse të policisë në protestë, pati reagime nga kupola drejtuese që shkarkoi kreun e policisë vendore të Vlorës, ndërsa u arrestuan menjëherë rojet private që morën zvarrë njërin prej protestuesve dhe ushtruan presion e ofenduan protestuesit e tjerë.
Megjithatë, hasim në standarte të dyfishta nga ana e shtetit shqiptar. Ndërsa për ngjarjen e ndodhur në Rrjoll pati veprime ndaj policisë dhe ndaj rojeve private, në protestën e Rrjollit që vijon prej muajsh nuk u pa asnjë reagim i tillë.
Teksa partia më e madhe e opozitës heshti, Versus.al transmetoi vazhdimisht përplasjet e dhunshme mes banorëve dhe rojeve private të “Breçani Security” të cilët nuk lejonin banorët të hiqnin mjetet e vendosura nga kompania e biznesmenit Bashkim Ulaj i cili po ndërton aty një resort luksoz si investitor strategjik.
Pamjet ishin vërtet tronditëse, përveç dhunës ndaj burrave, dhunë pati edhe ndaj grave shtatzëna apo atyre me fëmijë të cilat kishin dalë në protestë për të mbrojtur pronën e tyre. Me shkopinj gome, punonjësit e “Breçani Security” nuk u kursyen në goditje ndaj qytetarëve duke përdorur edhe grushte e shkelma me qëllimin e vetëm për t’i frikësuar që të mos guxonin të protestonin më.
Pavarësisht kësaj, banorët vijuan protestat me muaj të tërë nën të njëjtat kushte. Por ajo çfarë vrau më shumë ishte heshtja e shtetit me policinë “inekzistente” që i lejonte rojet e paguara nga biznesmeni që të bënin çfarë të donin me protestuesit të cilëve supozohet t’u shërbejë dhe t’i mbrojë. Duket se shkak për këtë standart të dyfishtë dhe reagimet apo mosreagimet e policisë, është bërë vëmendja e madhe që mori nga qytetarët kjo çështje që cilësohet si “shkëndija e fundit” që ndezi çdo gjë. Versus.al

