Ti, politikan im, nuk ua di gjendjen spitaleve tona! Ti njihesh me ‘horroret’ që ndodhin aty vetëm nga mediat. Atëherë kur del në dritë një skandal më i madh se i mëparshmi. Aty, ti shpërthen në vajtime, ‘çjerrje faqesh’, dhënie pretencash për ata bluzëbardhë e shpirtsterrë që pacientët, ata me fatin e kobshëm, pasi i telendisin korridoreve, zyrave e radhëve pa u dhënë as mjekim, i numërojnë si llogari bankare ku shtohen të ardhurat për pushime luksi.
Ti, i dashur politikan, dhe nëse je tek më të vjetrit në jetë e në politikë, nuk e di se si është të zgjohesh në mëngjes me angshtinë në stomak dhe me një tufë letrash në duar të nisësh kalvarin e tmerrshëm të përballjes, jo vetëm me sëmundjen… por dhe me orët e ditët e gjata në një spital të veçuar, ku shumë hyjnë e pak dalin.
Jo, politikan! Ti, dhe nëse i ke shkuar jetës në gjysmë, e që çudia më e madhe është të mos jesh detyruar një herë të paktën të përplasesh në atë spital, nuk e di se çfarë ndodh pas asaj dere xhami, ku roja shtyn me duar dhe një grua të sapooperuar nga gjiri.
Ti, politikan, që lëshon deklarata e bën video Instagrami e Facebooku, i tmerruar e i neveritur se si pacientët përcillen privat-shtet e anasjelltas me xhepa të boshatisur e trupshpirt të pushtuar nga kanceri, nuk ke nga t’i dish të gjitha këto.
Ti, më së paku ke kaluar në ‘korridorin e emergjencës’, jo zyrtarisht i tillë, duke të pritur dikush me celular në dorë ku kanë mbërritur mesazhet e duhura. Një turmë njerëzish të ‘vrarë’ hapet përdhunshëm e po kaq dhe dera e mjekut që është duke i pritur. Nuk ka gjë më poshtëruese, ulëritëse e të dhimbshme, i dashur politikan, se ajo derë që të mbyllet në fytyrë ndërsa ke orë në këmbë që i jep gajret vetes apo njeriut të shpirtit. Gajret se mjekja është aty për ty, çfarëdo të ndodhë, se shteti nuk do të të lërë që trupin ta pushtojë e keqja, ndërsa ditët kalojnë në pritje orësh të gjata. Se nuk do të të duhet të hapësh listën e kontakteve me shpresën se një i njohur aty mund të të ndihmojë. Se ndoshta nuk do të të duhet të rrënosh ekonomisht familjen…Se ndoshta mrekullia do të ndodhë… Se...
Jo, politikan, edhe në qofsh më modesti prej tyre, ti nuk e ke provuar ankthin e mungesës. Ti nxiton spitaleve private, sërish me rekomandime se nuk mund t’i lësh asgjë rastësisë në dorë. Ti dhe shokët e tu fluturoni drejt spitaleve më të mira të Evropës, të cilat sigurisht i flisni mes veti e në fund…nëse e keqja vjen për ju, nuk keni pendesë.
A e di politikan, që kushdo që ka humbur një person nga një sëmundje e tillë, e di që pas mallit e mungesës, tortura më e madhe është pyetja; po sikur?
Po sikur të mos e kisha operuar me këtë mjek, në këtë spital? Po sikur ta çoja në privat? Po sikur të shisnim gjithçka kishim e ta çonim diku jashtë? Po sikur të mos ia kenë dhënë mjekimin e duhur, dozën e duhur? Po sikur?
A të mundojnë këto pyetje dhe ty politikan?!
Nëse jo, lëre Instagramin, merr ‘indinjatën’ me vete dhe bëhu një ndër ‘ata’, një pacient i zakonshëm në pavionet e spitaleve tona.
Ndoshta do të tronditesh me të vërtetë e do mbetesh pa fjalë, por me shpresën plot vepra, kur të dëgjosh mjeken onkologe teksa i thotë pacientit: Dhe po vdiqe ti nuk do të shuhet bota!/ VERSUS