OPINION /

SHPJEGIMI/ Urdhri i Trump trazon ujërat në Shqipëri, a rrezikon SPAK të humbasë asistencën amerikane?

Shkruar nga Versus
SHPJEGIMI/ Urdhri i Trump trazon ujërat në Shqipëri, a rrezikon
Fotomontazh: Presidenti i SHBA Donald Trump dhe SPAK e selitë e PS e PD

TIRANE- Presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump firmosi fill pas marrjes së detyrës urdhërin për të pezulluar për 90 ditë ndihmën dhe fondet që jep për vendet e tjera.
Urdhri ka shkaktuar polemika në të gjithë botën, ku Organizata Botërore e Shëndetësisë, një nga programet e para të prekura nga urdhri i Trump, shpreh keqardhje dhe shpreson që presidenti amerikan do ta rishohë vendimin.

“Shpresojmë që Shtetet e Bashkuara do ta rishqyrtojnë (vendimin) dhe shpresojmë realisht se do të ketë dialog konstruktiv për të mirën e të gjithëve, për amerikanët, por edhe për të gjithë njerëzit në mbarë botën”, u tha gazetarëve në Gjenevë zëdhënësi i OBSH-së, Tarik Jasareviç.

Shtetet e Bashkuara kontribuojnë 18 për qind të buxhetit që OBSH-ja merr nga të gjitha vendet, duke e bërë Uashingtonin kontribuesin më të madh financiar të organizatës. Buxheti më i fundit dyvjeçar i OBSH-së, për vitin 2024-2025, ishte 6.8 miliardë dollarë.

Por si përkthehet ky urdhër për Shqipërinë?
Lajmi se presidenti Trump pezullon për 90 ditë ndihmat e huaja i ka hapur rrugën spekulimeve dhe deklaratave se institucioni i parë që do të preket në Shqipëri nga këto ndryshime është Prokuroria e Posaçme.

Edit Harxhi, ish zëvendësministre e Jashtme në qeverisjen e Berishës, deklaron se urdhri i Trump përfshin edhe asistencën teknike për SPAK.

“Një nga urdhrat ekzekutivë të firmosur nga presidenti Trump është pezullimi i menjëhershëm i të gjitha fondeve dhe projekteve të SHBA-ve në vende të tjera të botës. Këtu përfshihet asistenca teknike që është dhënë për SPAK, për reformën në drejtësi në Shqipëri, për BKH, të gjitha projektetet e USAID-it, të gjitha projektetet e Ambasadës Amerikane. Të gjitha këto projekte janë pezull, do jenë pezull për 90 ditë derisa të vetohen nga administrata e re ”,-tha Harxhi në studion e Euronews.

Pas Harxhit, një tjetër zë iu shtua listës së atyre që mendojnë se politika e re e Trump do të prekë edhe SPAK.

Analisti Baton Haxhiu deklaroi dje te “Të Paekspozuarit” se nëse SHBA mendon se Shqipëria e ka goditur korrupsionin, atëherë ligjet të reja do të miratohen që do bëjnë që SPAK të humbasë fuqinë.

"Ajo që mendoj unë, SPAK varet nga dy njerëz, një është Edi Rama dhe dy është Sali Berisha, krejt të tjerat janë përralla. Nëse dikur ka patur një presion për të krijuar frikën në Shqipëri, tani është SPAK nevojë që drejtësinë ta kthejmë në binarë. Nëse SHBA konsideron se Shqipëria ka arritur në fazë që hajnia dhe korrupsioni është goditur, do të kemi së shpejti nga dy liderët një ligj penal të ri, ku do të futen nene që SPAK e humb fuqinë edhe me ekzistencën e saj.

Administrata e kaluar ka bërë betejë për nene të caktuara, si shpërdorimi i detyrës, por kjo do të ndryshojë. Nëse hyn në ligjin e ri penal, atëherë baza e drejtësisë merr tjetër dimension. Kjo drejtësi speciale e SPAK do të jetë e panevojshme", tha ndër të tjera Haxhiu.

Por çfarë parashikon realisht urdhri i Trump?

Versus e shqyrtoi urdhrin e presidentit të 47-të të SHBA, por në asnjë rresht në këtë urdhër nuk përmendet Shqipëria e asnjë vend tjetër apo programet e tyre përkatëse. Më konkretisht, urdhri ka për qëllim rifutjen në shina të industrisë së ndihmave të huaja, që sipas Trump nuk janë në linjë me interesat amerikane dhe shumë herë janë në kundërshtim me vlerat e SHBA. Trump deklaron se këto ndihma shpesh përdoren për të destabilizuar paqen në botë.

Më tej përsa i përket pezullimit, urdhri parashikon “ pauzë 90-ditore në ndihmën për zhvillimin e jashtëm të Shteteve të Bashkuara për vlerësimin e efikasitetit programor dhe konsistencës me politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara. Të gjithë drejtuesit e departamenteve dhe agjencive me përgjegjësi për programet e ndihmës së huaj për zhvillim të Shteteve të Bashkuara do të ndalojnë menjëherë detyrimet dhe disbursimet e reja të fondeve të ndihmës zhvillimore për vendet e huaja dhe organizatat joqeveritare zbatuese, organizatat ndërkombëtare dhe kontraktorët në pritje të rishikimeve të këtyre programeve për efikasitet dhe konsistencë programore. me politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara, të kryhet brenda 90 ditëve nga ky urdhër. Zyra e Menaxhimit dhe Buxhetit (OMB) do ta zbatojë këtë pauzë nëpërmjet autoritetit të saj të ndarjes.”

Ngrirja do të zgjasë 90 ditë e më pas, të gjitha programet që janë në përputhje me programin e qeverisjes së Trump, atëherë do të rinisë disbursimi i Trump.

A rrezikon vërtetë SPAK? Gjasat janë të pakëta. Në vitin 2019, SHBA e mbështeti SPAK me një vlerë 2 milionë dollar, ndërkohë që në vitet që kanë pasuar, Prokuroria e Posaçme ka përfituar mbështetje dhe asistencë teknike. Por a është kjo një vlerë që mund të rrezikoj buxhetin e SHBA? Nëse e krahasojmë me vlerën që SHBA donon në organizatat e mëdha dhe vende të tjera, vlera 2 milionë dollar në vit duket si një pikë në oqean.

Ajo që mbetet për tu diskutuar në rastin e SPAK dhe Shqipërisë më shumë është vlerësimi i rezultatit të punës së SPAK dhe arritja në përfundimin se misioni i SPAK u arrit apo ende do të kërkohet një mbështetje finale për ta dërrmuar kulturën e korrupsionit dhe shpërdorimit të parave publike. Çfarë do të ndodhë? Kemi 90 ditë kohë për ta mësuar!/Versus.al

Poll